Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është proceduar penalisht, pasi shisnin lëndë narkotike në afërsi të një shkolle në Krujë.

Në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë, “Tempulli”, pasi kanë siguruar informacion se 3 shtetas shitnin kanabis në afërsi të një shkolle në Krujë, kanë organizuar punën për arrestimin e tyre.

Si rezultat, në një qendër lojrash, në afërsi të një shkolle në Krujë, u arrestuan shtetasit I. M., 20 vjeç, dhe G. Rr., 24 vjeç, të dy banues në Krujë. Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë një 16-vjeçar.

Gjatë kontrolleve fizike të tre shtetasve, si dhe gjatë kontrollit të banesave të dy të arrestuarve, shërbimet e Policisë, gjetën sasi lënde të dyshuara narkotike kokainë e kanabis të ndarë në doza, sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 3 celularë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas e siguronin lëndën narkotike në sasi dhe pasi e ndanin në doza, i shitnin ato në afërsi të një shkolle në Krujë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA