Stuhia ‘Ciaran’ që ka pushtuar prej 2 ditësh vendin tonë me reshje shiu dhe erë të fortë ka sjellë pasoja kryesisht në qarkullimin e mjeteve ku për normalizimin e situatës janë angazhuar ekipe nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, punonjësit zjarrfikës si edhe policia e shtetit e cila ka kaluar në gadishmëri.
Nuk kanë munguar as incidentet si ai i një punonjësi të policisë rrugore në Tiranë i cili u dëmtua nga një mjet i rënë nga lartësia, teksa po zhbllokonte trafikun në zonën e pallatit me shigjeta.
Ndërhyrja në kohë e strukturave shpëtoi pa dëmtime 23 turistë të huaj të cilët u evakuuan pasi mbetën të bllokuar në hyrje të kanionit të Langaricës për shkak të prurjeve të shumta të lumit.
Ndërkohë pasditen e djeshme për shkak të lagështisë në rrugë u shënuan 2 aksidente fatale një në Fier dhe tjetri në Morinë ku humbën jetën drejtuesit e mjeteve.
Reshjet intensive sollën prani uji në shumë aksi në kryeqytet çka solli dhe vështirësi në lëvizjen e automjeteve ndërkohë që prani uji pati edhe në garazhe apo kate -1 të bizneseve të cilat kërkuan ndihmën e zjarrfikseve për normalizimin e situates.
Zonat me të prekura nga vërshimet e ujit janë Yrsheku, Mzeza, Kombinati, zona tek ish-Parku i Autobuzëve dhe Pallati me Shigjeta ku shumë biznese u përmbytën pasi lumi Lana doli nga shtrati.
Në disa akse rrugore në Shkodër, Dibër, Elbasan, Berat e Korçë po punohet për pastrimin e rrugëve pasi vërshimet e ujit nga përrenjtë apo shkarjet e dheut kanë lënë pas inerte. Probleme të tilla janë hasur edhe në bashkinë Tepelenë. Për shkak të kushteve atmosferike gjatë këtyre dy ditëve ka pasur pezullimin të përkohshëm të operacioneve në portin e Durrësit dhe atë të Vlorës.
Problematika janë hasur edhe në furnizimin me energji pasi në disa vende për shkak të erës së fortë sistemi i transmetimit është shkëputur dhe kanë lënë pa energji shumë abonentë. Ekipet e OSHEEE mundësuan rilidhjen e energjisë në disa zona të thella të Gjirokastrës, Vlorës, Beratit, Fierit, Korçës, Dibrës e Elbasanit.
Top Channel