Në kushtet kur bizneset po kërkojnë punëtorë, fuqia punëtore ndërkohë po emigron dhe jemi në mungesë të burimeve të kualifikuara njerëzore, së fundi po hasim sindromën “Boreout” apo mërzitjes nga puna.
“Njerëzit që na drejtohen ne si psikologë, referojnë lodhje nga puna, mungesë motivimi, nuk kemi çfarë japim më në këtë vend pune, mosdëshirë për të shkuar në punë, ngarkesë emocionale për shkak të punëdhënësve që vazhdimisht ushtrojnë presion pafund, për të marrë sipas tyre më të mirën nga punonjësit, dhe nuk kuptojnë që gjithë ky presioni kthehet në dëm të punës, sepse askush që është i stresuar dhe i ngarkuar emocionalisht, nuk mund të jetë efikas në punë dhe nuk mund të japë më të mirën e tij në vendin e punës. Kështu që gjëja që kërkohet vazhdimisht është që punëdhënësit të dinë të motivojnë punonjësit. Punonjësi duhet të jetë i qetë. Një punonjës i qetë do të thotë rendiment më i lartë në vendin e punës. Një punonjës i stresuar është detyrimisht një katastrofë në punë, që do të thotë që i duhet shumë kohë të përmbushë një detyrë. Pra një punë që mund ta kryente për disa orë e mbaron pas disa ditësh”- tha psikologia Valbona Treska, nga Urdhri i Psikologëve të Shqipërisë.
Vendet e Europës dhe veçanërisht ato skandinave që aplikojnë 4 ditë punë në javë, nuk e kanë bërë kuturu këtë lëvizje, por bazuar në studime dhe në rezultatet e performancës së punëmarrësve.
Ne si psikologë propozojmë një ridimensionim të të gjithë mënyrës se si konceptohet marrëdhënia mes punëdhënësit dhe punëmarrësit. Bota e zhvilluar e ka bërë këtë tashmë dhe bën aktivitete sociale, trajton punonjësit, duke akorduar shpërblime dhe trajtime financiare për arritjet e tyre me qëllim që të motivojë punonjësit, apo i përfshin punonjësit në vendimmarrje, gjë që nuk para ndodh në Shqipëri, duke bërë që punonjësi shpeshherë të ndihet i mënjanuar.
Në këto kushte mërzitja nga vendi i punës, mungesa e motivimit nga punëdhënësi dhe mbi të gjitha mungesa e motivimit financiar, bëjnë që shpeshherë të kemi individë të pakënaqur që duan të ikin jo vetëm nga ambienti toksik dhe gërryes i punës, por edhe nga Shqipëria.
Top Channel