Themeluesi i FTX, Sam Bankman-Fried u shpall fajtor nga një juri në Nju Jork për vjedhjen e klientëve të platformës së tij tashmë të falimentuar të kriptomonedhave në atë që konsiderohet si një mashtrimet më të mëdha financiare në vend.
Juria 12 anëtarësh vendosi dënimin e ish miliarderit 31-vjeçar për të 7 akuzat me të cilat u përball gjatë një procesi gjyqësor në të cilin prokurorët argumentuan se me një lakmi të pashtershme, Bankman-Fried grabiti 8 miliardë dollarë përmes organizimit të një skeme mashtrimi të investitorëve.
Vendimi vjen një vit pasi FTX paraqiti kërkesën për falimentim në një shkrirje të rrufeshme të korporatës që tronditi tregjet financiare dhe e fshiu pasurinë e tij personale prej 26 miliardë dollarësh. Në bazë të padisë, Bankman-Fried kishte transferuar kapitalin e klientëve në kompaninë e tij private të kriptovalutave, ‘Alameda Research LLC’, pa i vënë ata në dijeni.
31-vjeçari vetë ishte deklaruar i pafajshëm ndaj dy akuzave për mashtrim dhe pesë të tjerave për komplot e pastrim parash. Të marra së bashku, ato mund të sjellin një dënim maksimal prej 110 vitesh burg. Ndëshkimi i tij konsiderohet një fitore për Departamenti amerikan të Drejtësisë dhe prokurorin më të lartë federal në Manhattan Damian Williams, që e ka kthyer çrrënjosjen e korrupsionit në tregjet financiare në një nga prioritetet e tij kryesore.
“Industria e kriptomonedhave mund të jetë e re, lojtarët si Sam Bankman-Fried mund të jenë të rinj, por ky lloj mashtrimi është po aq i vjetër sa koha dhe ne nuk kemi ndërmend ta durojmë”, u shpreh Williams para gazetarëve jashtë gjykatës.
Top Channel