SHBA me pako të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën

03/11/2023 09:32

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, planifikon që më 3 nëntor të njoftojë për një paketë të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 425 milionë dollarësh.

Paketa e re përfshin raketa kundër dronëve dhe municione, thanë dy zyrtarë amerikanë, raporton Reuters.

Në ndihmën e re nuk pritet që të përfshihen raketa shtesë ATACMS. Kongresistë republikanë i kanë bërë thirrje Bidenit që të dërgojë në Ukrainë raketa me rreze më të gjatë veprimi, pavarësisht se disa ligjvënës konservatorë janë shprehur kundër dërgimit të ndihmës shtesë në shtetin që po përballet me pushtimin e paprovokuar rus që nga shkurti i vitit të kaluar.

Në pakon për Ukrainën përfshihen municione me laser në vlerë prej rreth 300 milionë dollarësh, të cilat mund të rrëzojnë dronët e Rusisë, thuhet në dokumentin që e ka parë agjencia Reuters. Financimi i këtyre municioneve vjen nga Programi i Nismës për Ndihmë të Sigurisë për Ukrainën, që i mundëson administratës Biden të blejë armë nga industria e mbrojtjes në vend që të marrë armë nga stoqet e ushtrisë amerikane.

Pjesa tjetër e fondeve prej 125 milionë dollarësh do të përdoret për municione shtesë për Sistemin e Avancuar Kombëtar të Raketave Tokë-Ajër (NASAMS), municione për Sistemin Raketor të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë (HIMARS), artileri 105 dhe 155-milimetërshe, armë kundërtanke të llojit TOW, mina Claymore, armë të vogla dhe dhjetëra automjete, thanë zyrtarët që folën në kushte anonimiteti.

Kjo paketë e ndihmës është mundësuar duke përdorur Autoritetin i Tërheqjes Presidenciale, që autorizon Bidenin të transferojë artikuj dhe shërbime nga stoqet e SHBA-së gjatë një emergjence dhe për këtë atij nuk i duhet miratimi i Kongresit.

Që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022, SHBA-ja i ka dërguar ndihmë ushtarake Kievit në vlerë prej afër 44 miliardë dollarësh./ rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA