Pesë persona janë arrestuar mbas një hetimi gati 1-vjeçar të policisë greke dhe Europolit.
Sipas njoftimit për shtyp të policisë greke, banda ishe specializuar në fabrikimin e pikturave false dhe në vazhdim i shisnin ato në tregun ndërkombëtar duke shfrytëzuar ankandet në shtëpitë më të mëdha botërore të ankandeve.
Policia greke thotë se për fabrikimin e pikturave dhe afreskeve të falsifikuara përdoreshin letra të vjetra si dhe furra të posaçme.
Anëtarët e organizatës përdornin bojra speciale dhe duket se njihnin në detaje mënyrën e vjetërimit të letrave dhe bojrave.
Ekspertët që ekzaminuan 18 vepra të sekuestruara në banesat e të ndaluarve thanë se 10 prej tyre rezultojnë false dhe bëhet fjalë për cilësi tepër të lartë falsifikimi.
Madje cilësia e lartë e falsifikimit duket se mashtroi edhe ekpertët më të mirë të llojit, të cilët aprovuan shitblerjen e një pikture shkurtin e këtij viti në Bullgari, në shumën prej 12 milionë euro.
Prej verifikimit të llogarive dhe gjetjeve në banesën e të arrestuarve, u sekuestruan 6 milionë euro të përfituara prej tyre nëpërmjet tregëtimit të veprave false të artit. Të arrestuarit do të dërgohen në gjykatë për masë sigurie ndërsa hetimet do të vazhdojnë për zbardhjen e tërë aktivitetit të kësaj organizate.
Top Channel