Samiti i parë për mbrojtjen nga Inteligjenca Artificiale në Londër u kthye në një kushtrim për njerëzimin, me delegatët nga 28 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kinën.

Këto dy të fundit u pajtuan të punojnë së bashku për të frenuar rreziqet potencialisht “katastrofike” që paraqet avansimi galopant i AI-së. Disa prej shkencëtarëve të ftuar në takim pohuan hapur se Inteligjenca Artificiale mund të paraqesë rrezik edhe për vetë ekzistencën e njerëzimit.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, tha se deklarata ishte “një arritje e madhe ku fuqitë më të mëdha të botës, sa i përket Inteligjencës Artificiale, u pajtuan për urgjencën për t’i kuptuar rreziqet e saj dhe për të ndihmuar në punën në terma afatgjatë”. Ministrja britanike e teknologjisë, Michelle Donelan, apeloi për bashkëpunimin global duke e cilësuar qasjen e  bashkuar ndërkombëtare ndaj kësaj çështjeje si të një rëndësie vendimtare.

“Ndodhemi në një kryqëzim në historinë e njerëzimit. Dhe një kthesë e gabuar tani, një vendim i pamatur mund të kthehet në një humbje monumentale mundësie për të gjithë njerëzimin”, u shpreh ministrja e Teknologjisë në Angli Michelle Donelan.

Zv/presidentja amerikane, Kamala Harris, i bëri thirrje Britanisë dhe shteteve të tjera që të veprojnë më shumë dhe më shpejt, duke theksuar se ndryshimet në Inteligjencën Artificiale kanë sjellë nevojën që kompanitë e teknologjisë të mbajnë përgjegjësitë e tyre, përfshirë edhe përmes legjislacionit.

Bota, tha Harris, duhet të nisë të veprojë për menaxhimin e të gjithë spektrit të rreziqeve që burojnë nga inteligjenca artificiale, e jo vetëm të atyre të konsideruara si ekzistenciale si sulmet masive kibernetike të kryera nga teknologjitë e AI.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA