Islamofobia po përhapet, Shtëpia e Bardhë e shqetësuar! Hartohet strategji e re

02/11/2023 10:40

Mes skepticizmit në rritje të myslimanëve amerikanë ndaj administratës Biden lidhur me mbështetjen e plotë të dhënë Izraelit për ofensivën ndaj Gazës pas sulmit të Hamasit në 7 tetor, Shtëpia e Bardhë njoftoi se po harton një strategji kombëtare për të luftuar islamofobinë.

Një lëvizje e tillë pritej prej muajsh, por tani duket është nxitur më shumë nga rrethanat e krijuara rishtazi. Në muajin maj, administrata e Presidentit Biden publikoi një strategji kombëtare kundër antisemitizmit, që gjithashtu u referohej përpjekjeve kundër urrejtjes ndaj myslimanëve. Por përpjekja mori vrull më të madh pas konfliktit vdekjeprurës midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza.

Strategjia, një përpjekje e përbashkët e udhëhequr nga Këshilli i Politikave të Brendshme dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare, synon të hartojë një plan me palët e interesuara për të mbrojtur nga diskriminimi, urrejtja, fanatizmi dhe dhuna myslimanët dhe ata që perceptohen si myslimanë për shkak të racës, origjinës dhe prejardhjes së tyre, tha Shtëpia e Bardhë. Ngjarja e Ilinoisit ku një burrë theri me thikë për vdekje në djalë mysliman 6-vjeçar dhe plagosi nënën e tij, shokoi mbarë botën.

Autoritetet dhe aktivistë të të drejtave të myslimanëve thanë se sulmi ishte nxitur nga besimi fetar i viktimave dhe si reagim ndaj luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Një anketë e opinionit publik nga Instituti Arabo-Amerikan, e publikuar të martën, tregon se për herë të parë që nga themelimi i tij në vitin 1997, shumica e arabo-amerikanëve nuk u identifikuan si demokratë.

Dyzet për qind e të anketuarve thanë se do të votonin për ish-Presidentin Donald Trump, kandidatin e mundshëm republikan në zgjedhjet e vitit 2024, një shtim i mbështetjes ky me 5% krahasuar me vitin 2020.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA