Shkurtohet pritja për leje pune, lehtësohet ndryshimi i statusit, ashpërsohen dënimet për kontrabandistët.
Gjermania po krijon lehtësira të reja për refugjatët. Projekt-amendamenti i ri i miratuar nga qeveria në rregulloren për ndryshimin e statusit nga refugjat në emigrant pune ndihmon edhe azilkërkuesit e refuzuar që kanë mbërritur në këtë vend deri në 31 dhjetor 2022.
Atyre u ofrohet mundësia të dalin nga statusi i azilkërkuesit të refuzuar dhe të hyjnë në statusin e emigrantit të punës me duldung dhe të marrin dokumentin që i mbron nga dëbimi. Në variantin e mëparshëm të ligjit të miratuar nga qeveria gjermane vitin e kaluar akses në këtë ndryshim statusi kishin personat që kishin ardhur si refugjatë para 31 gushtit 2018.
Parakusht për këtë është që të kesh qëndruar në Gjermani prej pesë vjetësh. Zëdhënësi i ekzekutivit gjerman, Steffen Hebestreit, njoftoi se për t’u mundësuar sa më shumë refugjatëve punësimin, është ulur edhe koha që duhet të ketë qenë në punë një refugjat për të marrë këtë status: nga 18 në 12 muaj, si edhe numri i orëve të punës që duhet të kesh punuar për të fituar këtë status: nga 36 në 20 orë në javë.
Parakusht për të përfituar është sigurimi i mjeteve të jetesës, mungesa e lidhjeve me organizatat ekstremiste dhe asnjë vepër penale. Hebestreit sqaroi se kjo bëhet për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë gjermane, e cila vijon të jetë në kërkim të fuqisë punëtore, por edhe për të lehtësuar komunat gjermane që po përballen me barrën kryesore të azilkërkuesve, numri i të cilëve sa vjen e rritet.
Sipas një përgjigjeje të qeverisë gjermane dhënë në gusht të këtij viti grupit parlamentar të AFD në Bundestag, deri në fund të vitit 2022 në Gjermani ishin regjistruar afro 248 000 persona me këtë status. Mbi dhjetë përqind e tyre vijnë nga vendet e Ballkanit Perëndimor. ku vendin e parë e zënë refugjatët nga Serbia me mbi 11 900, pasuar nga Shqipëria me 7 700 dhe Maqedonia e Veriut me mbi 7000.
Top Channel