Senatorja amerikane Jeanne Shaheen, anëtare e lartë e Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, u bëri thirrje Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç t’u rikthehen përpjekjeve për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërmjet dy vendeve dhe paralajmëroi se ato rrezikojnë të humbin mundësinë që u është ofruar për të përparuar drejt integrimeve evropiane.
Në një intervistë me shërbimin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës pas kthimit nga vizita në Kosovë, senatorja Shaheen tha se “një mundësi e tillë mund të mos ofrohet pafundësisht duke pasur parasysh sfidat me të cilat Evropa po përballet për shkak të luftës në Ukrainë si pasojë e sulmit të paprovokuar të Rusisë.”
“Bashkimi Evropian po shqyrton mënyra se si mund të ndihmojnë shtetet që nuk duan të bëhen vende autokratike, që nuk zgjedhin të përkrahin diktatorë si Vladimir Putin, në rrugën e tyre drejt demokracisë. Kjo është një mundësi që nuk do të ekzistojë përgjithmonë,” deklaroi ajo.
Senatorja Shaheen tha se shpreson “që Serbia dhe Kosova të ulen dhe të gjejnë mënyrën se si mund të jetojnë së bashku.”
“E kuptoj që nuk e njohin njëra-tjetrën, por mendoj se është e rëndësishme të sigurohen se qytetarët e tyre nuk janë të zhytur në konflikt, që nuk jetojnë me frikë, që nuk kanë nevojë të brengosen,” shtoi ajo.
Senatorja Shaheen vizitoi Kosovën bashkë me senatorin Peter Welch nga Vermonti disa javë pas sulmit të 24 shtatorit në fshatin Banjskë në veri, ku u vra një oficer i policisë.
Ajo vlerësoi se tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbesin ndër shqetësimet kryesore në rajon.
Në intervistë, zonja Shaheen tha se autorët e sulmit të grupit të armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës më 24 shtator duhet të mbahen përgjegjës.
“Duhet të sigurohemi që nuk do të ndodhë sërish. Na duhet një kufi i sigurtë, por nuk është në interes të askujt që të kemi një konflikt të tillë në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës,” tha senatorja Shaheen.
Shaheen: E shqetësuar për drejtimit e Malit të Zi
Senatorja Shaheen u shpreh e shqetësuar për situatën në Mal të Zi pas vendimit të forcave politike në Mal të Zi, që të përfshijnë në koalicionin qeverisës parti politike dhe udhëheqës me prirje pro-serbe dhe pro-ruse.
“Nuk e kuptoj se si dikush mund të shohë atë që Vladimir Putin bëri në Ukrainë, pushtimin e një shteti, vrasjen e civilëve dhe shkatërrimin e infrastrukturës vetëm sepse si shtet donte të bëhej pjesë e BE-së dhe demokracisë, nuk e di pse ndonjë palë në Evropë mendon se aty duhet të jetë e ardhmja e tyre,” theksoi ajo.
Ajo tha se institucionet amerikane duhet të ushtrojnë vigjilencë të shtuar për situatën në Mal të Zi, një shtet anëtar i NATO-s.
“Jam shumë e shqetësuar që në Mal të Zi mund të kemi dikë që do të ndante me Vladimir Putinin çdo gjë që ndodhë në NATO,” shtoi ajo./VOA
Top Channel