Autoritetet e Pakistanit u kanë dhënë kohë 1.7 milion afganëve, për të cilët thonë se po jetojnë jashtëligjshëm në vendin e tyre, deri më 1 nëntor për t’u larguar nga vendi vullnetarisht, apo përndryshe do të përballen me arrestim dhe dëbim.
Analistët thonë se militantizmi në rritje, një krizë ekonomike dhe marrëdhëniet e këqija mes Qeverisë talebane në Afganistan dhe Pakistanit, janë arsyet e kësaj përzënie të madhe.
Pse po i dëbon afganët Pakistani?
Qeveria e Pakistanit tha se dëbimi i afganëve, për të cilët thotë se po jetojnë jashtëligjshëm në Pakistan, është nxitur nga një krizë e sigurisë, pas një rritjeje të numrit të sulmeve në rajonet kufitare të Pakistanit në muajt e fundit.
“Kanë ndodhur 24 raste të sulmeve vetëvrasëse prej janarit, 14 prej të cilave u kryen nga shtetasit afganë”, tha ministri i Brendshëm në detyrë i Pakistanit, Sarfraz Bugati, kur njoftoi për urdhrin në fillim të muajit tetor.
Pakistani e akuzon Qeverinë talebane se po i strehon grupet militante të cilat i fajëson për sulmet, siç janë Pakistani Taleban (TTP) – një grup i ndarë nga talebanët afganë, por me ideologji të njëjtë.
“Qeveria talebane nuk po e dëgjon Pakistanin për praninë e TTP-së në tokën e tij. Pakistani dëshiron që ata të frenohen dhe talebanët nuk janë në gjendje dhe nuk duan ta bëjnë këtë”, tha analisti politik, Hasan Askari, për agjencinë e lajmeve AFP.
Pakistani është duke u munduar ta luftojë edhe kontrabandën kufitare, për të cilën thotë se po e thellon krizën ekonomike në vend, duke i rritur kontrollet në pikat e ligjshme kalimtare.
Si ka reaguar grupi taleban?
Autoritetet në Kabul e kanë dënuar urdhrin për dënim duke e cilësuar si “mizor dhe barbar”, dhe kanë paralajmëruar se ai do t’i prishë edhe më shumë marrëdhëniet me Islamabadin.
“Pritjet e Pakistanit nga regjimi taleban [për sigurinë] nuk janë përmbushur dhe [autoritetet pakistaneze] kanë vendosur ta përdorin një instrument për t’iu bërë trysni atyre”, tha Muhammad Amir Rana, një analist i politikës dhe sigurisë, si dhe drejtor i Institutit për Studime të Paqes i Pakistanit (PIPS).
Rikthimi i madh i refugjatëve afganë dhe shtimi i kontrolleve në pikat e ligjshme kalimtare për tregti, do ta shtojnë trysnin ndaj ekonomisë së brishtë të Afganistanit, e cila varet shumë nga ndihmat ndërkombëtare. Kritikët thonë se refugjatët afganë po e pësojnë nga mospajtimet mes dy qeverive.
Si do të ndodhë dëbimi?
Në fillim të tetorit, Qeveria u dha kohë afganëve deri në fund të muajit për t’u larguar vullnetarisht, përndryshe do të përballen me arrestim dhe dëbim nga 1 nëntori. Në qytetin pakistanez, Karaçi, shumë afganë që jetojnë në kampe refugjatësh, thonë se arrestimet dhe bastisjet nëpër shtëpi dhe biznese kanë filluar tashmë.
Nga e mërkura e kësaj jave, pra sot, Ministria e Brendshme tha se nuk do të bëjë kompromise dhe se afganët pa dokumente do të arrestohen dhe do të dërgohen në qendrat e ndalimit për t’u dëbuar. Megjithatë, meqë mijëra familje po nxitojmë drejt kufirit për ta shmangur arrestimin, pikëkalimet kufitare po përballen me presion të madh.
Cili është reagimi ndaj afatit për dënim?
Vëzhguesit thonë se pakistanezët e kanë mbështetur në përgjithësi kthimin mbrapsht të afganëve pa dokumente, me praninë afatgjate të refugjatëve që është bërë barrë e rëndë për infrastrukturën e vendit. Një editorial në gazetën në gjuhën angleze, The Express Tribune, tha se vendimi ishte “lëvizje e menduar shumë mirë”.
“Është vonë, por kurrë nuk është shumë vonë. Afati i Qeverisë… vjen si sfidë, dhe barra bie mbi autoritetet pakistaneze që të kujdesen që kjo të zbatohen në letër dhe esencë, dhe të mos kalojë si një tjetër zotim i papërmbushur”, shkruhej në editorial.
Megjithatë, ka pasur thirrje për një qasje më të mëshirshme dhe një afat më të gjatë kohor, posaçërisht pas raportimeve për ngacmime nga policia, zhvatje, arrestime të fëmijëve dhe shkatërrim të shtëpive. Agjencia për refugjatë, UNHCR, ka paralajmëruar se shumë prej atyre që përballen me dëbim “do të jenë në rrezik të madh që të drejtat e tyre të shkelen nëse kthehen në Afganistan, përfshirë arrestime arbitrare dhe burgosje, torturë, trajtime të tjera mizore dhe çnjerëzore”.
Pse ka kaq shumë afganë në Pakistan?
Pakistani është njëri prej vendeve që pranon më së shumti refugjatë në botë, pasi miliona afganë kanë ikur në Pakistan për të kërkuar strehim gjatë dekadave të luftërave të njëpasnjëshme. Shumica jetojnë në provincën Kiber Paktunka, e cila ndodhet në kufi me Afganistanin. Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatë, së paku 600.000 afganë ikën në Pakistan prej se talebanët u kthyen në pushtet në gusht 2021. Pakistani nuk ka kornizë të brendshme ligjore për refugjatët dhe nuk është nënshkruese e Konventës së OKB-së për Refugjatët, duke bërë që refugjatët afganë të jenë të cenueshëm ndaj ndryshimit të politikave. /REL
Top Channel