Opozita “revoltë” në zyra/ Bllokon komisionet, socialistët bëjnë mbledhjen on line

01/11/2023 19:35

Opozitarët po zbatojnë skenarin për bllokimin e punimeve të Kuvendit në çdo komision parlamentar. 

Këtë të mërkurë plani ishte paralizimi i aktivitetit të Konferencës së Kryetarëve, por këtë herë mazhoranca i mbylli dyert ndërkohë Garda u urdhërua që t’u ndalonte planin demokratëve.

Edhe pse ishte parashikuar që në orën 10 ministri i financave, Ervin Mete të prezantonte projektbuxhetin e vitit 2024, ai nuk u lejua të futej në sallë nga deputetët e PD-së.

Në pamundësi për të zhvilluar një mbledhje normale kryetarja e parlamentit e shtyu mbledhjen dhe vazhdoi me socialistët e qetë punën. Por teksa kolegët e tyre përplaseshin me gardën jashtë sallës, brenda flamurin e betejës e mbajtën Zheni dhe Agroni.

PS po kallëzon penalisht demokratët për aktet e dhunës në parlament. I pari që shkoi në dyert e drejtësisë ishte Bledion Nallbati, mbrojtja e të cilit i ishte lënë në dorë Sali Berishës.

“Ja dërgoi një organizate tjetër kriminale siç është SPAK, që funksionon i tëri nën këmbët e Edi Ramës me fabrikime, falsifikime kriminale. Me lidhje me bandat dhe krimin. Në këtë aspekt, nuk ka asnjë lloj habie se përse këta i drejtohen tani SKAP-it të partisë”, tha Berisha.

Për Gazment Bardhin padia e socialistëve është reagim pas padisë së parë të bërë prej tyre.

Demokratët aksionin parlamentar e vazhduan edhe me bllokimin e Komisionit të Ekonomisë, duke detyruar socialistët që të zhvendosin mbledhjen online, veprim i cili konsiderohet nga opozita si shkelja e radhës ndaj tyre. Mirëpo socialistët e kanë marr me sportivitet situatën duke ju dhënë edhe një këshillë para se të rimblidheshin.

Nga ana tjetër, Elisa Spiropali, Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin përmes një postimi në Facebook, e konsideron veprim në shkelje të ligjit bllokimin e punës.

“Sot, në shkelje të plotë të çdo ligji, rregulli dhe kodi, duke nëpërkëmbur detyrën dhe përdhosur misionin kushtetues, disa deputetë të opozitës, kanë dhunuar institucionet e Kuvendit duke dashur të pengojnë prezantimin e Buxhetit 2024 në Konferencën e Kryetarëve dhe në Komisione Parlamentare. Të nderuar kolegë dhe kolege: nuk jua kanë fajin dyert e Kuvendit! Dera ku kanë thirrur të përgjigjet të parin tuaj, as hapet prej nesh, as mbyllet prej nesh. Koha kur ajo derë hapej për armiqtë dhe mbyllej për shokët, aleatët dhe miqtë ka marrë fund. Kuptojeni! Kthehuni në Kuvend dhe bëni punën tuaj!”, shkruan ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA