Familjet e viktimave të sulmit të 7 tetorit të Hamasit në Izrael i kanë kërkuar Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) që të fillojë hetimet mbi vrasjet dhe rrëmbimet, pavarësisht kundërshtimit të Izraelit ndaj Gjykatës.
Avokati ndërkombëtar me seli në Tel Aviv, Yael Vias Gvirsman, i cili përfaqëson familjet e më shumë se 34 viktimave të sulmeve të Hamasit, përfshirë pengjet, personat e zhdukur dhe të vrarë, paraqiti pranë prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare një dosje në bazë të nenit 15. Izraeli nuk është vend anëtar i gjykatës me seli në Hagë dhe refuzon ta njohë juridiksionin e saj.
Kërkesa e avokatit Yael Vias Gvirsman i kërkon prokurorit Karim Khan që të përqendrojë hetimet e tij tek veprimet e Hamasit më 7 tetor në Izraelin jugor, përfshirë zhdukjet me forcë, të cilat gjykata i sheh si një krim kundër njerëzimit.
“Hamasi thuajse më vrau të gjithë familjen e ngushtë. Beteja ime është për të sjellë drejtësi”, i tha agjencisë së lajmeve Reuters përmes mesazheve me tekst të ndara nga avokati i saj zonja Galit, vajza 12-vjeçare dhe nëna 80-vjeçare e së cilës u vranë në sulmet e Hamasit. Ajo i është bashkuar kallëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe nuk donte të jepte emrin e plotë për arsye të privatësisë.
Zyra e prokurorit konfirmoi për agjencinë e lajmeve Reuters se e kishte marrë dosjen dhe se të dhënat po shqyrtoheshin.
Gjykatën Penale Ndërkombëtare tashmë po heton për çdo krim të supozuar brenda juridiksionit të saj të kryer në territorin palestinez dhe akuzat për krime palestineze në territorin izraelit./VOA
Top Channel