Antisemitizëm në rritje në shumë vende të botës

01/11/2023 14:20

Autoritetet dhe organizatat e shoqërisë civile në shumë vende po njoftojnë për rritje të antisemitizmit që nga sulmi i Hamasit me 7 tetor në Izrael i cili u kundërpërgjigj me bombardime në Rripin e Gazës.

Ja disa nga vendet e prekura nga vala e rritur e antisemitizmit në botë:

SHTETET E BASHKUARA

Organizata hebraike Lidhja kundër Shpifjes njoftoi javën e kaluar se incidentet e antisemitizmit janë rritur 400% gjatë dy javëve pas sulmit të 7 tetorit, krahasuar me të njëjtën periudhë vitin e kaluar.

Zyrtarët qeveritarë u takuan me udhëheqësit amerikano-hebrenj të hënën për të biseduar për hapat për t’iu kundërpërgjigjur asaj që një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë e përshkroi si një rritje alarmante e rasteve të antisemitizmit nëpër qendra universitare.

Pas incidentit kur një person tentoi të futej me forcë në shtëpinë e një familjeje hebraike në Los Anxhelos më 25 tetor duke brohoritur “Liri për Palestinën” dhe “Vrisni Hebrenjtë” , kryebashkiakja Karen Bass tha se policia do të vazhdonte të rriste numrin e patrullimeve nëpër qytet.

KANADA

Kryeministri Justin Trudeau foli për një “rritje të frikshme” të antisemitizmit në Kanada më 17 tetor, duke iu referuar incidenteve në një shkollë të mesme hebraike në Toronto si dhe gjuhën e ashpër nxitëse në internet.

ARGJENTINA

Me kujtimet ende të freskëta nga dy sulmet ndaj Ambasadës së Izraelit dhe Qendrës hebraike në vitet 1990 ku mbetën të vrarë 100 persona, udhëheqësit hebrenj të Argjentinës po këshillojnë pjesëtarët e komunitetit hebraik të ushtrojnë kujdes dhe vigjilencë.

Një shkollë e mirënjohur hebraike në Buenos Ajres u ka kërkuar studentëve të mos i veshin uniformat e rregullta, ndërsa disa ekipe janë tërhequr nga gara e ping-pongut që organizohet nga një klub hebraik nga frika se mund të sulmohet.

Mediat vendore njoftuan javën e kaluar se një argjentinas u arrestua pasi bëri thirrje në platformat e rrjeteve sociale për të sulmuar fëmijët hebrenj në shkolla.

BRAZIL

Udhëheqësit hebraikë kanë vërejtur një rritje të gjuhës antisemite në internet dhe incidente me grafitë që janë shkarravitur nëpër sinagogat e Rio de Zhanieros. Nuk ka pasur njoftime për sulme apo kërcënime fizike.

“Jemi shumë të shqetësuar. E kemi rritur sigurinë në institucionet tona,” tha Presidenti ekzekutiv i Federatës hebraike të Sao Paulos Ricardo Berkiensztat.

Ai tha se ka lexuar në internet komente të tipit “Hitleri nuk mbaroi punë, duhej t’i vriste të gjithë hebrenjtë.”

BRITANIA E MADHE

Forcat policore në Londër kanë njoftuar se incidentet antisemite janë rritur 14 herë që nga sulmi i 7 tetorit.

Trusti i Sigurisë së Komunitetit, që mbledh raportet për antisemitizmin në Britani, njoftoi se numri i incidenteve në tri javët e fundit që prej sulmit ishte më i larti që kur organizata filloi mbledhjen e të dhënave më 1984.

FRANCË

Ministri i jashtëm Gerald Darmanin tha të hënën se që nga 7 tetori janë regjistruar 819 akte antisemitizmi. Në vitin 2022 kishte gjithsej 436 të tilla.

Zoti Darmanin tha se 414 persona janë arrestuar në lidhje me këto incidente.

GJERMANI

Një anketë e realizuar nga organizata e shoqërisë civile RIAS gjeti një rritje të përvitshme prej 240% të incidenteve antisemite në periudhën 7-15 tetor.

HOLLANDË

Ndonëse nuk ka ende të dhëna zyrtare, Koordinatori kombëtar për luftën ndaj antisemitizmit Eddo Verdoner tha se një rritje e madhe ishte regjistruar dhe komuniteti hebraik po përjeton ankth.

Ai tha se prindërit hebrenj kanë njoftuar se fëmijët e tyre po ngacmohen në shkollë përmes komenteve të llojit “Hamasi ka pasur të drejtë” dhe “duhej ta kishin bërë më herët një gjë të tillë” që po ju drejtohen atyre.

AFRIKA E JUGUT

Numri i incidenteve antisemite në tetor ishte nëntë herë më i lartë se mesatarja e regjistruar gjatë këtij muaji gjatë një dekade, sipas drejtorit të Bordit të deputetëve hebrenj afrikano-jugor.

Në një incident, një grua që kishte ndarë informacion për një protestë që thërret për lirimin e pengjeve izraelite që po mbahen në Gaza u keqtrajtua në internet, përfshirë përmes mesazheve të llojit “e kanë radhën fëmijët e saj.”

RUSIA

Pasi një turmë hyri me forcë në një aeroport në rajonin e Dagestanit duke kërkuar hebrenj për t’i lënduar në aeroplanin që kishte arritur nga Tel Avivi, presidenti i Federatës së Komuniteteve Hebraike të Rusisë u bën thirrje autoriteteve t’i dënojnë ashpër organizatorët.

Rabini Alexaner Boroda tha se trazirat në aeroport “minuan themelet bazë të larmisë kulturore dhe etnike të shtetit tonë.”

KINA

Nuk ka të dhëna rreth incidenteve të antisemitizmit. Më 13 tetor, një punonjës i Ambasadës së Izraelit në Pekin u sulmua dhe i dyshuari u arrestua.

Rrjetet sociale kineze janë të mbushura me përmbajtje antisemite, përfshirë komente që sugjerojnë që Holokausti është i justifikuar dhe që krahasojnë hebrenjtë me parazitët, vampirët dhe gjarpërinjtë.

Një zëdhënës i Ministrisë së jashtme kineze tha se ligji ndalon përdorimin e internetit për të përhapur gjuhën e urrejtjes, por nuk ka dëshmi konkrete se autoritetet po bëjnë përpjekje për të frenuar antisemitizmin në internet./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA