Thellohet kriza humanitare në Gazë, thirrje Izraelit për të lejuar më shumë ndihma

31/10/2023 15:09

Operacionet ushtarake izraelite në Gazë vazhdojnë, ndërsa kriza humanitare po thellohet dhe janë shtuar thirrjet për ndaj Izraelit për të lejuar më shumë ndihma.

Ndërkohë, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein familjet e pengjeve të rrëmbyer druhen se operacioni nga toka e shtojnë rrezikun e atyre që janë në duart e Hamasit.

Forcat izraelite njoftuan të martën se u përfshinë në “beteja të ashpra” me militantët e Hamasit brenda Rripit të Gazës ndërsa vazhdoi të godasë territorin palestinez me sulme ajrore dhe artilerie.

Izraeli gjithashtu thotë se ka vrarë dhjetëra militantë palestinezë, përfshirë katër operativë të lartë të Hamasit.

Operacioni i zgjeruar tokësor izraelit po kryhet në mes të një krize humanitare në rritje në Rripin e Gazës. Ministria palestineze e shëndetësisë tha se numri i të vdekurve që nga fillimi i sulmeve ajrore izraelite më shumë se tre javë më parë kaloi shifrën 8,300, më shumë se gjysma prej tyre gra dhe fëmijë. Zyrtarët e organizatave humanitare thonë se Izraeli duhet të lejojë ardhjen e më shumë ndihmave në Gaza.

“Nuk duhet të ketë asnjë pengesë që furnizimet me ndihma humanitare të shkojnë për fëmijët, gratë, burrat dhe civilët. Ata janë të pafajshëm. Ata kanë të drejta sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare. Këto të drejta janë pjesë e Konventave të Gjenevës”, thotë Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Izraeli thotë se po lejon ndihmat humanitare në pjesën jugore të Gazës, zonën ku iu ka thënë të ikin nga lufta më shumë se 1 milion palestinezëve. Ndërkohë, ushtria izraelite thotë se Hamasi po devijon ndihmat dhe karburantet dhe po përdor spitalet si qendra komandimi në vend të zonave të sigurta për civilët.

“Hamasi i ka kthyer spitalet në qendra komandimi dhe kontrolli dhe strehë për terroristët dhe komandot e Hamasit. Gjithashtu, mund të konfirmoj se sipas inteligjencës që kemi, në spitalet e Gazës ka karburante”, tha Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite.

Ndërsa shumica e izraelitëve mbështesin operacionin tokësor dhe synimet e shtetit për të zhdukur Hamasin, familjet e më shumë se 230 izraelitëve të marrë peng shqetësohen se ky operacion tokësor mund të rrezikojë pengjet.

Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant u takua me familjet e pengjeve dhe i siguroi ata se rritja e presionit ushtarak ndaj Hamasit ishte e vetmja mundësi për lirimin e tyre.

Por djali i aktivistes kanadezo-izraelite të paqes Vivian Silver, që besohet se mbahet peng në Gazë, nuk pajtohet me këtë qasje.

“Unë nuk mendoj se funksionon kështu pasi lufta është kaotike. Përveç kësaj Hamasi i mori të burgosurit për t’i përdorur ata si mjet presioni dhe nëse e humbin një gjë të tillë, atëherë nuk kanë më nevojë për ta. Pra, më duket se operacioni tokësor shkakton më shumë rrezik”, thotë zoti Zeigen.

Zyrtarët izraelitë thonë se presin që lufta në Gazë të vazhdojë për disa muaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA