Ekspertët e OKB-së kërkojnë që talebanët të lirojnë dy aktiviste

31/10/2023 13:12

Ekspertët e Kombeve të Bashkuara u bënë thirrje talebanëve që të lirojnë menjëherë dy aktiviste për të drejtat e njeriut, të cilat gjenden në paraburgim për më shumë se një muaj, ndërsa talebanët nuk kanë dhënë asnjë arsye për arrestimin e tyre.

Talebanët kanë ndaluar gratë nga shumica e jetës publike dhe ua kanë ndaluar të punojnë. Vajzave afgane u është ndaluar që të vijojnë mësimin përtej klasës së gjashtë, si pjesë e masave të ashpra të vendosura nga talebanët që kur rimorën pushtetin më 2021, pas tërheqjes së trupave ndërkombëtare nga Afganistani.

Ekspertët e OKB-së, përfshirë raportuesin e posaçëm për Afganistanin, Richard Bennett, thanë se lirimi i Neda Parwan dhe Zholia Parsi dhe anëtarëve të familjeve të tyre është çështje urgjente. Dy aktivistet nuk kanë pasur të drejtë të kenë përfaqësim ligjor për akuzat që janë ngritur ndaj tyre.

“Ne jemi të shqetësuar për mirëqenien e tyre fizike dhe mendore”, thanë ekspertët përmes një deklarate. Ata u bënë thirrje autoriteteve talebane që të respektojë të drejtat dhe liritë dhe thanë se arrestimi i aktivisteve është bërë pa asnjë justifikim.

Sipas ekspertëve, banorët në Afganistan nuk duhet të cenohen nga të drejtat e tyre për shprehjen e mendimeve të tyre dhe mbrojtëset e të drejtave të grave në veçanti janë në rrezik për shkak se mund të shënjestrohen për shkak të gjinisë së tyre.

“Talebanët duket se po vazhdojnë të intensifikojnë kufizimet e tyre në hapësirën shoqërore, veçmas duke heshtur zërat e grave dhe vajzave”, u tha në deklaratë.

Afganistani është shteti i vetëm në botë që ka kufizime në shkollimin e grave dhe vajzave. /REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA