“Azoti, të shpallet drogë”/ Diskutime te Komisioni i Shëndetësisë

31/10/2023 15:44

Kërkesa për të shpallur azotin drogë u diskutua këtë të martë në Komisionin e Shëndetësisë.

Debatet vijnë pak javë pasi Ministria e Brendshme i dërgoi shkresën Komisionit me propozime për ndryshime në projektligjin për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, u shpreh se qëllimi kryesor është përfshirja e lëndës N2, pra peroksidit të azotit dhe disa substancave të tjera në listën e lëndëve të ndaluara.

Unë nuk dua që të ndalohet futja e këtyre lëndëve në Shqipëri, nuk e kam këtë tagër, por përdorimi i tyre si lëndë psikotrope, sepse jam informuar që këto lëndë përdoren edhe për qëllime të tjera, për prodhimin e lëndëve jo psikotrope, por përdorimi i tyre si lëndë psikotrope, të ndalohet me ligj. Dhe këtë besoj që kam edhe mbështetjen tuaj duke përfituar nga fakti që pjesa e anëtarëve të këtij Komisioni vijnë nga fusha e shëndetësisë, dhe që mund të vlerësoni shumë më mirë se sa unë të gjitha efektet negative që sjellin këto lëndë te shëndeti i të rinjve dhe jo vetëm”, u shpreh Balla.

Si argument për këto ndryshime në ligj, Ministri i Brendshëm përmendi disa shtete që e kanë përfshirë azotin në listën e substancave narkotike.

“Mbretëria e Bashkuar e ka ndaluar tashmë shitjen për përdorim, si lëndë psikotrope, të këtij gazi dhe në fund të dhjetorit pritet që propozimet për ndalimin e posedimit të tij nga qytetarët të shoqërohen edhe me ndjekje penale, me ndëshkim deri në dy vite burg. Kjo është për Britaninë e Madhe.

Holanda është shteti i parë në botë që ndaloi përdorimin e gazit N2O për shkak të rrezikshmërisë në shëndet, ndalohet blerja, shitja ose posedimi, përveç rasteve kur ky gaz përdoret për ushqim, përdorimi i tij për prodhim të ëmbëlsirave apo pijeve energjike, apo për qëllim mjekësor, që e dimë, edhe në Shqipëri është përdorur për qëllime mjekësore.

Në Lituani, oksidi i azotit është përfshirë në listën e substancave narkotike dhe psikotrope. Ndërkohë e njëjta qasje është në pjesën më të madhe të vendeve të BE”.

Këto propozime erdhën pas rasteve të konstatuara nga policia të përdorimit të tullumbaceve me azot nga të rinjtë dhe alarmit të dhënë në Top Channel nga mjeku, Adrian Fandi i cili tregoi se kjo lëndë përmban dy kimikate në formë gazi që japin probleme mendore dhe neurologjike tek të rinjtë. Përdoruesi mund të ketë halucinacione derisa mund të hidhet nga ballkoni. Përdorimi i gazit helium dhe protoksidit të azotit shitet lirë nëpër lokale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA