Kompania Apple duket se vijon me telashet pasi të dhënat e reja tregojnë se iPhone 15 ka pasur shitje zhgënjyese në tregun më të madh në botë të smartfonëve.
Të dhënat e ofruara për Bloomberg nga studiuesi i tregut GfK zbuluan se shitjet e iPhone 15 ishin 6% më të ulëta se iPhone 14 gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, duke shtuar dëshmitë në rritje se iPhone i fundit i Apple nuk ka arritur t’i lërë përshtypje konsumatorëve kinezë.
Rënia e shitjeve të iPhone 15 në Kinë vjen në një kohë të keqe për Apple, me kompaninë që po përballet me konkurrencën lokale. Për Apple, ky është një kërcënim serioz. Përveçse është qendra e prodhimit për një sërë pajisjesh Apple, Kina është gjithashtu tregu i dytë më i madh i kompanisë për nga shitjet, duke përbërë 18% të të ardhurave të saj vitin e kaluar.
Megjithatë, përkeqësimi i marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Kinës e ka bërë pozicionin e Apple në vend gjithnjë e më të pasigurt. Seria e re e telefonit iPhone 15 Pro duket se ka vështirësi shtesë me cilësinë e produktit. Telefonat e rinj janë hasur me shumë probleme që kur dolën në treg, duke përfshirë problemet me integritetin strukturor të telefonave, si dhe problemet me veshjen prej titani në kutitë e telefonit, deri te mbinxehja e tyre.
Tani është shfaqur një problem tjetër, i cili është po aq serioz, nëse jo më i madh se problemet që janë shfaqur më parë. Ndërkaq, hulumtimi i kompanisë analitike Counterpoint ka publikuar së fundmi një analizë të tregut për tremujorin e tretë, kur bëhet fjalë për shitjet e telefonave. Sipas raportit për periudhën korrik-shtator, dërgesa globale e telefonave shënoi një rënie prej 8% në tremujorin e përmendur, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Top Channel