Pas vizitës në rajonet e Himalajave që po përballen me një shkrirje të shpejtë të akullnajave, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, lëshoi një apel drithërues.
Tavani i botës po bie, tha numri një i OKB-së, që i bëri thirrje botës të “ndalë çmendurinë” e ndryshimeve klimatike.
“Rajoni i Everestit në Nepal ka humbur pothuajse një të tretën e akullit gjatë tre dekadave të fundit. Akullnajat janë rezervuari i akullit. Akullnajat këtu në Himalaje furnizojnë me ujë mbi një miliard persona. Dhe kur ato tkurren, tkurret edhe rrjedha e lumenjve”, u shpreh Guterres.
Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, akullnajat në Nepal janë shkrirë 65 për qind më shpejt sesa në dekadën e mëparshme. Shtresat e akullit në vargmalet e Himalajeve dhe Hindu Kushit janë burim kryesor uji për rreth 240 milionë banorë që jetojnë në rajonet malore, por edhe për 1.65 miliard banorë të tjerë në zonat në Azinë Jugore dhe Juglindore.
Shkencëtarët kanë dhënë alarmin se akullnajat në Nepal po shkrihen më shpejt për shkak të ndryshimeve klimatike, duke i ekspozuar komunitetet ndaj fatkeqësive të paparashikueshme dhe të kushtueshme. Nga Nepali ku ndodhet për një vizitë katër ditore Guterres paralajmëroi se i duhet dhënë fund epokës së përdorimit të karburanteve fosile, teksa globi është ngrohur me një mesatare prej pothuajse 1.2 gradë Celsius që nga vitet 1800, duke shkaktuar mot ekstrem, përfshirë valë intensive të të nxehtit dhe thatësira të mëdha.
Më të goditurit nga moti ekstrem janë banorët në shtetet më të varfra të botës të cilat kanë bërë pak për të kontribuar në uljen e emetimeve të karburanteve fosile, që po rrisin temperaturat.
Top Channel