Konflikti me armë për pronat në Kepin e Rodonit/ Tetë persona të arrestuar, mes tyre edhe ish-deputeti Mark Frroku

30/10/2023 09:36

Konflikti për pronat në bregdet ka çuar në pranga 8 persona, mes tyre edhe ish-deputeti Mark Frroku, të cilët janë përfshirë në një sherr masiv ditën e diel

Përfaqësues të kishës katolike françeskane kanë qenë duke rrethuar këtë pjesë toke për të kufizuar pronën e tyre të cilën e kanë me certifikatë pronësie. Por pronësinë e saj e pretendojnë dhe banorë të zonës. Familja Kaculi ka një tjetër certifikatë pronësie dhe pretendon se e ka fituar atë përmes ligjit 7501. Të dyja palët u përfshinë në një konflikt fizik mes të cilëve dhe ish-deputeti Mark Frroku, po vendosnin gardhin për të rrethuar pronën e tyre.

Ndaj ish-deputetit Mark Frroku, që ishte në rolin e sipërmarrësit, dhe përfaqësuesve të tjerë të kishës françeskane rëndojnë akuzat për “kanosje”, “veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”, “prishje e rendit dhe qetësisë publike”, si dhe “moskallëzim krimi”. Ndërkohë banorët e arrestuar akuzohen për “vetëgjyqësi” dhe “plagosje me dashje”. Në kërkim është shpallur një tjetër person, nga grupi i përfaqësuesve të kishës që dyshohet se qëlloi me armë zjarri në vendin e ngjarjes.

Pas denoncimit në Fiks Fare në fillim të këtij muaji IMT e bashkisë Durrës pezulloi punimet për rrethimin e tokës derisa të sqarohet nga Kadastra pronësia e tokës. Ndërsa ASHK nuk ka kthyer ende një përgjigje, përfaqësuesit e kishës janë rikthyer për të rrethuar tokën të dielën. Kjo situatë është kthyer në konflikt fizik ku disa persona mbetën të plagosur lehtë nga goditjet.

Konfliktet mes banorëve të zonës dhe kishës françeskane janë të hershme, ndërsa kisha përmes përfaqësuesit ligjor të saj bëri të ditur se ka ndërprerë kontratën me përfaqësuesen e mëparshme të saj Ana Shtjefni e cila në konfliktin mes palëve ka kaluar në mbështetje të banorëve duke deklaruar se të drejtën e pronës mbi tokën e ka familja Kaculi. Gjithsesi do të jenë autoritetet përgjegjëse, fillimisht Kadastra që do të përcaktojë situatën e tokës në konflikt dhe në  rast se do të ketë mbivendosje prone, çështja do të kalojë në gjykatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA