Ka ndërruar jetë në spital pas 48-orësh shqiptarja që u sulmua nga bashkëshorti i saj, Etleva Bodi.
31-vjeçarja, nënë e katër fëmijëve të mitur të moshës 5 dhe 11-vjeç, nuk mundi të mbijetojë pavarësisht ndihmës mjekësore të mjekëve të spitalit San Paolo në Savona. Ngjarja e rëndë ndodhi pak para mesnatës të së premtes, ku 41-vjeçari shqiptar, Selami Bodi, sipas mediave italiane, njoftoi urgjencën pasi gruaja e tij nuk merrte dot frymë.
Por pas ndihmës së parë të dhënë nga urgjenca, rezultoi se Etleva Bodi ishte sulmuar nga bashkëshorti i saj, i cili më pas u arrestua nga policia italiane dhe tashmë akuzohet për vrasje. Shkak u bë një debat mes tyre për motive xhelozie.
Selami Bodi sipas mediave fqinje, kishte dëgjuar gruan e tij të fliste në telefon dhe më pas e sulmoi atë duke tentuar ta mbyste. Në tentativën për të shpëtuar nga tërbimi i të shoqit, bashkëshortja është mbyllur në dhomën e gjumit por ai ka thyer derën i tërbuar dhe ka tentuar ta mbyste me duar. Viktima ka humbur ndjenjat dhe bashkëshorti i frikësuar tashmë kishte kërkuar ndërhyrjen e stafit mjekësor, pa marrë parasysh peshën e veprimit të tij. Në momentin e ngjarjes katër fëmijët e çiftit ndodheshin në dhomën ngjitur dhe ishin në gjumë.
Ndërkohë kur mbërriti policia në banesë, 41-vjeçari rrëfeu gjithë rrjedhën e ngjarjes. Selami Bodi, punonte në ndërtim dhe nuk ka pasur më herët precedent penal. Ai pranoi gjithashtu para hetuesve se gjatë javëve të fundit debatet mes tij dhe bashkëshortes ishin shpeshtuar akoma dhe më shumë.
Top Channel