Kryeqyteti grek organizon në fillim të nëntorit Javën e Modës, ku do të mirëpresë stilistët dhe markat më të njohura, me qëllim krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e industrisë së modës.
Në Javën e Modës në Athinë, në datat 1-4 nëntor do të marrë pjesë edhe modeli e aktivisti Elton Ilirjani. Ai do të sfidojë jo në një, por në tre shfaqje të ndryshme, duke nisur të mërkurën me sfilatën e Nikos Takis, për të cilin ky vit është shumë i rëndësishëm, pasi shënon 60-vjetorin e themelimit të brand-it.
Një paraqitje tjetër e Ilirjanit do të jetë në 3 nëntor, në shfaqjen e K7 Konstantinos Tsigaros, për ta mbyllur në 4 nëntor me një sfilatë të veçantë për Temeno by Lakis Gavalas.
Java e Modës në Athinë zhvillohet dy herë në vit, çdo tetor-nëntor dhe mars-prill, duke shfaqur stilistë dhe marka të modës të njohura dhe të reja greke, përfshirë evente të ndryshme të lidhura me modën dhe mirëpret mysafirë nga gjithë bota. Misioni i AFW është të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e industrisë së modës duke ofruar një platformë për dizajnerët grekë që të lidhen me përfaqësuesit e mediave dhe blerësit e modës brenda dhe jashtë kufijve grekë, duke kontribuar në përparimin kulturor dhe duke e vendosur Athinën si një destinacion modës.
Kështu, pjesëmarrja e Elton Ilirjanit në këtë event është një tjetër arritje për të, pas shfaqjeve ku bëri jo pak bujë në Javën e Modës në Londër, Javën e e Modës në New York, Javën e Modës në Kosta Rika. Ndër të tjera, këto evente të rëndësishme e që marrin vëmendje ndërkombëtarë, aktivisti i shfrytëzoi për të përcjellë mesazhe për të drejtat e njeriut dhe mbi të gjitha, kundër diskriminimit gjinor.
Top Channel