Skema për Garancinë Rinore, përmes së cilës do të ofrohen kurse profesionale e më pas vende pune për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç nis zbatimin gjashtë muaj pas miratimit nga qeveria.
Ky program zbatohet me mbështetjen e Bashkimit Europian. Sipas skemës, synohen të mbështeten 18 mijë të rinj dhe fillimisht do të zbatohet në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë.
Sipas zëvendësministres së Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani që mori pjesë në eventin e lançimit të skemës, synohet aftësimi dhe punësimi i të rinjve që nuk janë të punësuar dhe nuk marrin një edukim apo trajnim.
“Një nga mekanizmat e rëndësishëm në rritjen e aftësive profesionale dhe që na siguron trajtimin e të rinjve NEET, pra që nuk punojnë dhe nuk ndjekin kurse kualifikimi është Skema e Garancisë Rinore, si pjesë e iniciativës së Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor. Ne jemi të bindur se Garancia Rinore do të mbështesë të rinjtë, të cilët përballen me pengesa në gjetjen e vendeve të punës dhe fitimin e aftësive të rëndësishme për tregun e punës, duke çuar në mungesën e perspektivës për të ardhmen, e reflektuar në rritjen e kërkesës për emigracion”.
Zbatimi i Skemës së Garancisë Rinore parashikon që të rinjtë e papunë të regjistruar në zyrat e punësimit brenda një periudhe 4-mujore duhet të marrin një ofertë punësimi, trajnimi apo mësimi profesioni.
AKPA ka dizenjuar edhe një portal të dedikuar për Garancinë Rinore, i cili do të funksionojë si portë hyrëse dhe informative për të gjithë të rinjtë.
Top Channel