Vizitën dyditore në Tiranë, deputeti i bundestagut gjerman, Guter Krishbaum, e mbylli me një konferencë për shtyp, nga ku në emër të partive popullore europiane dha një mesazh të fortë që politika të qëndrojë larg funksionaliteteve të SPAK-ut.

“SPAK po bën punën e vet në interes të BE-së dhe të shqiptarëve. Të gjitha sulmet drejtuar SPAK-ut unë do i konsideroja të ndaluara. Spak ka dhe do te ketë në të ardhmen gjithë mbështetjen tonë. Është një organ me integritet, ndaj duhet ta mbrojmë Spakun kundrejt çdo kritike. Sulmet që ngrihen këtu në Shqipëri sipas të cilave Spaku është i politizuar, janë të gabuara dhe nga ana jonë dënohen. Ka disa keqkuptime me imunitetin. Imuniteti nuk është një privilegj për parlamentarë të caktuar. Imuniteti garanton funksionimin e parlamentit por jo të mbrojë zyrtarë të veçantë”.

Një mesazh keqardhës, Krishbaum shprehu edhe për copëzimin e Partisë Demokratike si dhe ju kërkoi përfaqësuesve të saj që të reflektojnë për t’u kthyer në zgjidhjen e shqiptarëve e jo të kenë si qëllim luftën për mbajtjen e karriges së kryetarit.

“Më vjen keq që Partia Demokratike është e ndarë në këtë moment, sepse çdo vend ka nevojë për parti të forta. Unë personalisht jam jurist për nga formimi dhe për këtë arsye për mua parimet e shtetit ligjor janë pjesë e vetëorganizimit të një partie. Njerëzit në një vend presin që një parti të mund të zgjidh problemet, jo vetëm të partisë por edhe të vetë njerëzve. Në fund të ditës qytetarët thonë nëse një parti nuk është në gjendje të zgjidh problemet e veta, atëherë nuk do të jenë në gjendje të zgjidhin as problemet e mia. Ndaj, një parti duhet të pyes veten nëse në këtë pikë është tërheqëse për zgjedhësit me ofertën e saj?”

Deputeti Krishbaum gjatë takimeve me politikanët deklaroi se po vijon punën që Shqipëria të përmbush 15 kushtet për integrimin në BE, me prioritet sheh reformën zgjedhore, luftën kundër korrupsionit si dhe reformën në administratën shtetërore. “Rruga e Shqipërisë drejt BE-së është e pakthyeshme”, shfaqi mbështetjen e qartë të Gjermanisë, deputeti gjerman.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA