Ditën e sotme Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së për sekuestrimin e një prej llogarive bankare të ish-ministrit Arben Ahmetaj.
Gjyqtari Dhimitër Lara la në fuqi vendimin e GJKKO për sekuestrimin duke rrëzuar kështu kërkesën e Ahmetaj për rishikim të këtij vendimi.
Bëhet fjalë për llogarinë bankare që Ahmetaj i kalonte para vajzës për shkollimin e saj, thotë avokati i tij Ardian Visha.
Sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha, seanca ishte planifikuar për ditën e djeshme, por u shty për sot në orën 9:00.
Kujtojmë se katër apartamente dhe dy llogari bankare, që dyshohet se i takojnë Arben Ahmetajt, janë sekuestruar, ndërsa Prokuroria e Posaçme SPAK lëshoi urdhër-arrest për ish-ministrin.
Disa muaj më parë, Ahmetaj kërkoi edhe heqjen e sekuestros së apartamentit në Tiranë, e cila u rrëzua nga Apeli i Posaçëm.
Dyshohet se Ahmetaj ka kryer korrupsion në gjashtë episode, po ashtu ka fshehur pasuri dhe ka pastruar para, sipas dosjes hetimore në të cilën përmenden shumë emra të tjerë biznesmenësh, ish-nëpunësish e persona të tjerë që janë nën hetim.
Sipas SPAK, janë ushtruar kontrolle në shtatë banesa, në të cilat janë sekuestruar dokumente, laptop, telefona celularë,USB dhe materiale të tjera.
Avokatët e Arben Ahmetajt kanë deklaruar se ai është larguar nga Shqipëria para se Kuvendi të shqyrtonte kërkesën e SPAK.
Kujtojmë se Arben Ahmetaj si ish-ministër i Financave dhe Ekonomisë u vendos nën hetim për dosjet e inceneratorëve, pas këqyrjeve në një kompjuter që i përket biznesmenit Klodian Zoto, i cili rezultoi se kishte paguar e prenotuar udhëtime luksoze për ish funksionarin, vlera e të cilave u llogarit nga SPAK në shumën e 34 mijë eurove.
SPAK i referohet një sërë dëshmish të biznesmenëve që tregojnë se vilat në Palasë dhe në Hamallaj janë të lidhura me Arben Ahmetajn ndërkohë që nga një telefon blackberry i sekuestruar janë përftuar mesazhe dhe komunikime edhe me persona të tjerë, zyrtarë ish-zyrtarë dhe biznesmenë.
Top Channel