Ushtria izraelite njoftoi se ka zgjeruar gjatë natës operacionin e saj me njësi tokësore në Rripin e Gazës teksa përsëriti thirrjet drejtuar popullatës vendase të largohet drejt jugut.
Tre javë pas masakrës së terroristëve islamistë, të gjitha shenjat janë për një intensifikim të konfliktit. Avionët luftarakë izraelitë kanë bombarduar tunelet e Hamasit dhe bunkerët nëntokësorë në veri të territorit, duke sinjalizuar një përshkallëzim të mëtejmë të fushatës për të shkatërruar krejtësisht grupin militant palestinez.
Avionët luftarakë kanë goditur me dhjetëra objektiva nëntokësore. Izraeli thotë se ka shkatërruar linjat e komunikimit dhe ka lënë territorin e rrethuar të Gazës, që banohet prej 2.3 milionë palestinezësh, pa komunikim me botën jashtë. Familjarët e banorëve që gjenden ende atje po tentojnë të kontaktojnë me të afërmit e tyre, por mëngjesit e sotëm linjat ishin jashtë funksionit. Palestinezët po ashtu për javë të tëra kanë mbetur pothuajse pa energji elektrike dhe janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre, teksa furnizimet me ushqime dhe ujë po mbarojnë. “I kemi parë masakrat e tmerrshme që po ndodhin atje, por tani jemi në një errësirë të plotë informacioni”, tha Wafaa Abdul Rahman, udhëheqëse e një organizate feministe me bazë në Ramalllah, në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Objektiv kryesor i forcave izraelite është pikërisht rrjeti i gjerë i tuneleve dhe bunkerëve nëntokësorë të Hamasit, shumica e të cilit gjendet poshtë qytetit të Gazës, në veri të enklavës. Qendra për media e Hamasit ka raportuar për përleshje të ashpra gjatë natës me forcat izraelite në disa pjesë, përfshirë për atë që e cilësoi si inkursion izraelit në kampin e refugjatëve Burei në qendër të Rripit të Gazës.
Të pyetur për këto raportime, burime nga ushtria izraelite pohuan se kanë kryer bastisje të shënjestruara dhe kanë zgjeruar sulmet ajrore me qëllim “për të përgatitur terrenin për faza të ardhshme të operacionit”. Që nga shpërthimi i luftës më 7 tetor, në Gazë numri i viktimave ka kaluar shifrën prej 7.300. Mbi 60 për qind e viktimave, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, janë të mitur dhe gra.
Top Channel