Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar në favor të një rezolute që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza.
Rezoluta jodetyruese u mbështet nga 120 vende, ndërsa 45 abstenuan dhe 14 votuan kundër.
I vetmi vend i madh që votoi kundër, përveç Izraelit, ishin Shtetet e Bashkuara. Vende të tjera që kundërshtuan votimin ishin Fixhi, Tonga, Nauru, Papua Guinea e Re, Mikronezia, Kroacia, Hungaria, Paraguai, Çekia, Austria dhe Guatemala.
Aleatët e SHBA-së dhe Izraelit, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia abstenuan. Atyre iu bashkuan Shqipëria, Tunizia, Bullgaria, Tuvalu, Filipinet, Polonia, Italia, Japonia, Kiribati, Etiopia, Estonia, Kabo Verde, Qiproja, India, Islanda, Greqia, Gjeorgjia, Gjermania, Finlanda, Vanuatu, Zambia, Uruguai, Serbia, Suedia, Sudani i Jugut, Rumania, Koreja e Jugut, Holanda, Letonia dhe Monako.
Franca theu radhët me vendet kryesore dhe votoi për rezolutën. Ukraina, e cila është nën pushtim, çuditërisht abstenoi. Një vend tjetër që befasoi ishte Iraku, i vetmi komb arab që nuk votoi për rezolutën. Ai abstenoi.
Ndërkohë Izraeli që nuk e pranoi thirrjen e OKB-së për armëpushim në Gaza. Ministrit të Jashtëm, Eli Cohen tha se Izraeli synon të eliminojë Hamasin.
“Ne e refuzojmë drejtpërdrejt thirrjen e neveritshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për një armëpushim“, shkroi Cohen në X.
“Izraeli synon të eliminojë Hamasin ashtu siç u përball bota me nazistët dhe DEASH-in”, shtoi ai.
Miratuar në takimin e 10-të të Sesionit Special të Emergjencës mbi situatën në Territorin e Pushtuar Palestinez, projekt-rezoluta shpreh “shqetësim të madh” për “përshkallëzimin e fundit të dhunës” që nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor.
Top Channel