Arrestohen katër persona në Korçë, bashkëpunonin për të nxjerrë jashtë Shqipërisë emigrantë të huaj

28/10/2023 10:05

Katër persona janë arrestuar në Qafë Plloçë për transportim të emigrantëve në mënyrë të paligjshme.

Si rezultat i operacionit të koduar “Midnight 22”, në pranga janë vënë shtetasit A. D., 38 vjeç, A. D., 37 vjeç, M. H., 43 vjeç dhe B. G., 45 vjeç, banues në Elbasan.

Në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në afërsi të vendit të quajtur Qafë Plloçë, policia ka ndaluar automjetin furgon tip “Benz”, me drejtues shtetasin B. G. dhe pasagjer shtetasin M. H. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet u konstatuan 10 emigrantë të paligjshëm, të cilët do të transportoheshin nga këta shtetas kundrejt pagesës, drejt vendeve të BE-së.

Në vijim të këtij operacioni, u kapën dhe u vunë në pranga edhe dy shtetasit e tjerë A. D. dhe A. D., të cilët u konstatuan në afërsi të fshatit Çiflig, Korçë, me automjetin tip “Benz”, ku nga hetimet e kryera rezultoi se ishin bashkëpunëtorë në këtë veprimtari të paligjshme. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar 38-vjeçarit A. D., iu gjet një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike kokainë e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me dy automjete, 4 celularë dhe një shumë parash.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA