Universiteti i Korçës, marrëveshje bashkëpunimi me Politeknikun! Priten programe të reja studimi

27/10/2023 17:14

Drejtuesit e Universitetit të Korçës dhe universitetit Politeknik nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit duke synuar hapjen e programeve të reja të studimit.

Edhe pse ky është hapi i parë i një procesi të gjatë për dy rektorët e universiteteve, synimi është zhvillimi i mëtejshëm i arsimit të lartë për të shkuar drejt ndërkombëtarizimit. Për rektorin e universitetit të Korçës, ky është një proces që indirekt lidhet me profilizimin e universitetit.

“Marrëveshja kuadër përfshin shumë pika bashkëpunimi ndërmjet të cilave edhe hapja e programeve të përbashkëta. Nuk mund të themi ende gjë konkrete pasi do ngrihen grupe pune specialistësh të programeve përkatëse, që janë risi dhe mund të jenë unikale në vend për t’u hapur konkretisht në Universitetin e Korçës dhe universiteti Politeknik ka kapacitetet e duhura akademike për të na ndihmuar në këtë pjesë”, tha rektori i Universitetit “Fan Noli”, Dhimitër Bello.

Rektori i universitetit Politeknik Andrea Maliqari tha se bashkëpunimi me universitetet në rrethe është i domosdoshëm për të arritur zhvillimin e plotë të arsimit të lartë.

“Ne sot po nënshkruajmë një marrëveshje duke synuar në tendencat e reja, në programet e përbashkëta në shkëmbimin e eksperiencave të pedagogëve, jo vetëm të studentëve korçarë por edhe më gjerë“, u shpreh rektori i Universitetit Politeknike, Andrea Maliqari.

Pavarësisht nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ende nuk mund të thuhet nëse vitin e ardhshëm programet e reja do të jenë gati, pasi do të duhet të shihen me detaje kapacitetet akademike, mundësitë për afrimin e programeve si dhe të kalohet nëpër një sërë procedurash për të ofruar cilësi dhe standarde të larta arsimore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA