“Në përvjetorin e të atit ne shpresojmë ta kemi këtu, kështu që Kyriakos na jep fjalën që do vish këtu për të inaguariar bashkë me mua se unë do jem prapë kryeministër, bashkë me mua dhe me kryetarin e bashkisë sheshin dhe vendosjen e bustit të të ndjerit dhe të paharruarit këtu në këtë zonë, babait tuaj”.
Kjo dëshirë e Edi Ramës për të patur ditën e sotme në Derviçan kryeministrin e Greqisë Kyriakos Mitsotakis, në inaugurimin e bustit të babait të tij nuk ndodhi. Zemërimi Greqisë pas arrestimit të Fredi Belerit, solli acarimin mes Shqipërisë dhe Greqisë, u reflektua edhe njëherë tjetër në ditën kur Shqipëria, nderoi ish kryeministrin Kostandinos Micotakis.
Kryeministri Edi Rama e vlerësoi si një “personazh historik dhe emblematik të Greqisë fqinje” përmes një fjale të gjatë, në formën e një leksioni akademiko-historik, që do ta kishin zili edhe vetë biografët e Kostandinos Micotakis.
“Rikthimi i tij në këtë shesh sot është një rikthim i duhur në vendin e duhur dhe në kohën e duhur i njeriut të duhur për të mishëruar me praninë e vet të përjetshme këtu lidhjen e pandashme të minoriteti grek me Greqinë, të cilën ai e rivendosi pas një këputje të gjatë dhe të dhimbshme me ardhjen e tij 33 vjet më parë”, u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama nuk kishte si mos ta anashkalonte së përmenduri mungesën e kryeministrit të Greqisë.
“Do kisha dëshiruar shumë që sot të ishte këtu dhe Kyriakos Mitsotakis, djali i Kostandinosit, kryeministri i sotëm i Greqisë dhe miku im i dashur, por me siguri dhe ai do të rikthehet në këtë shesh, aq më tepër që ua ka premtuar, ku që nga sot, sheshi mban emrin e të atit”, u shpreh Rama.
Në ceremoni ishte i pranishëm edhe politikani grek Dimitris Avramopulos, bashkëpunëtor i ish-kryeministrit grek Mitsotakis te cilin e ka shoqëruar në vizitën e tij të parë në Shqipëri 33 vite më parë.
Top Channel