Zelensky: Sulmi rus me dronë mund të ketë patur si objektiv centralin bërthamor

26/10/2023 09:10

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se një sulm rus me dronë të mërkurën, në rajonin perëndimor Khmelnitskyi, ndoshta kishte si objektiv centralin bërthamor të zonës.

Sulmi theu xhamat e centralit dhe plagosi 20 persona. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, mbikëqyrësi bërthamor i Kombeve të Bashkuara, tha se shpërthimet nga sulmi me dronë nuk ndikuan në funksionimin e centralit ose lidhjen e tij në rrjet. Energjia u ndërpre përkohësisht për disa stacione të monitorimit të rrezatimit të vendosura jashtë perimetrit.

Në fjalimin e tij me video të darkës, zoti Zelensky tha se sulmi është provë e mëtejshme se nevojiteshin sanksione më të ashpra kundër Rusisë.

“Ka shumë të ngjarë që objektivi i këtyre dronëve të jetë centrali bërthamor Khmelnitskyi”, tha ai. “Vala goditëse nga shpërthimi theu xhamat, edhe tronditi ambientet e stacionit të energjisë bërthamore”.

Presidenti Zelensky tha se çdo sulm rus, “veçanërisht ato që guxojnë mjaftueshëm të vënë në shënjestër centralet e energjisë bërthamore dhe objektet e tjera kritike, shërben si një argument se presioni ndaj shtetit terrorist është i pamjaftueshëm”, siç u shpreh ai.

Guvernatori rajonal Serhiy Tyurin dha një pamje më të plotë të shkallës së dëmit, duke thënë se më shumë se 1700 ndërtesa pësuan dëmtime.

Në një deklaratë të postuar në rrjetin Telegram, zoti Tyurin tha se mes tyre përfshiheshin 282 blloqe apartamentesh, më shumë se 1,400 shtëpi private, 41 institucione arsimore dhe gjashtë ndërtesa të kujdesit shëndetësor. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, tha në një deklaratë se: “Fakti që dritare të shumta u shkatërruan tregon se sa afër ishte goditja. Herën tjetër, ne mund të mos jemi aq me fat”.

Forcat ajrore të Ukrainës shkatërruan të 11 dronët rusë të lëshuar gjatë natës, tha ushtria. Dëmet u shkaktuan nga valët e shpërthimit dhe rënia e mbeturinave, sipas ministrit të brendshëm.

“Armiku goditi gjatë natës territorin afër centralit bërthamor Khmelnytskyi. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar xhamat e ndërtesave administrative dhe laboratorike”, tha Ministria e Energjisë në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Rajoni Khmelnytskyi ka qenë rregullisht objektiv i sulmeve nga dronët dhe raketat ruse, të cilat analistët i lidhin me një aeroport ushtarak në rajon. Pesë centralet bërthamore të Ukrainës kanë qenë tema të debatuara që nga fillimi i agresionit rus rreth 20 muaj më parë. Rusia mori kontrollin e centralit bërthamor në Zaporizhzhia në fillim të konfliktit, më i madhi në Evropë, ndërsa palët kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për plane për goditjen e objektit. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA