Nga viti në vit krimet me natyrë seksuale në vendin tonë kanë pësuar rritje.
Vetëm gjatë këtij viti në polici janë denoncuar rreth 290 vepra penale me natyre seksuale ku 16 kanë qenë abuzime seksuale e të tjerat ngacmime, veprime të turpshme dhe pornografi.
Vepra me numrin më të lartë të denoncimeve është pornografia ku në rrjetet sociale qarkullojnë video dhe foto të ndryshme që jo rrallë herë përdoren edhe si shantazh. Të shumta në numër janë dhe ngacmimet seksuale të cilat ndodhin edhe nga personat me të cilët viktima nuk ka asnjë njohje.
Gjatë vitit 2022 në vend janë regjistruar 347 vepra penale me natyrë seksuale ku të dëmtuar kanë mbetur rreth 200 persona pjesa më e madhe gra dhe vajza.
Alarmant është fakti se këto vepra të rënda kryen edhe ndaj fëmijëve. Gjatë vitit kaluar nga veprat penale me natyrë seksuale janë dëmtuar 85 të mitur. Sipas statistikave të përpiluara nga policia e shtetit shumica e këtyre krimeve kryhen nga autorë të moshave nga 18 deri ne 29 vjeç.
Pavarësisht se shifrat janë alarmante autoritetet besojnë se rastet e krimeve seksuale janë më të mëdha pasi shpesh herë viktimat e këtyre veprave penale heshtin për shkak të paragjykimit dhe opinionit.
Top Channel