Krerët e BE-së mblidhen në Bruksel/ ‘Harrohet’ Ukraina? Fokusi tek Lindja e Mesme

26/10/2023 09:20

Krerët e 27 vendeve anëtare të BE-së mblidhen sot në Bruksel për në samiti të fokusuar kryesisht tek zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, edhe pse në axhendën e diskutimeve është dhe Ukraina, emigracioni si dhe raportet mes Kosovës e Serbisë.

“Takimi ynë zhvillohet në një kohë të paqëndrueshmërisë dhe pasigurisë së madhe globale, që së fundi u ashpërsuan edhe më shumë me zhvillimet në Lindjen e Mesme”, shkruan presidenti i Këshillit Europian në shkresën e ftesës për këtë takim. Me këtë formulim, Michel përcakton tonin e samitit në kryeqytetin belg, të dominuar nga situata në Izrael dhe në Rripin e Gazës.

Pas sulmit terrorist të militantëve islamist të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor kryetarët e qeverive dhe të shteteve të vendeve anëtare deklaruan, se vendi ka të drejtë të mbrohet, “në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën humanitare ndërkombëtare ndaj të tilla sulmeve të dhunshme dhe arbitrare”.

Shumë shtete, kryesisht ato perëndimore, e klasifikojnë Hamasin si organizatë terroriste. Më 2006 ajo doli nga zgjedhjet si forca më e madhe në parlamentin palestinez. Që nga viti 2007 ajo qeveris pa mandate të tjera demokratike në Rripin e Gazës.

Më pak unanimë janë vendet anëtare të BE-së lidhur me çështjen e shpalljes së një “armëpushimi” më saktë një “armëpushimi humanitar”, sikurse doli në pah gjatë takimit të ministrave të jashtëm në Luksemburg. Disa shtete, si Spanja, Irlanda dhe Sllovenia e përkrahën këtë kërkesë të formuluar për herë të parë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Të tjera vende si Gjermania, Çekia dhe Austria u shprehën kundër. Këto vende druajnë, se kërkesa të tilla mund të vlerësohen si ndërhyrje në të drejtën e vetëmbrojtjes së shtetit të Izraelit. Tani kryetarët e shteteve dhe të qeverive duhet të gjejnë një pozicion të përbashkët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA