Inside Story-Dosja “Partizani”/ Dokumenti ku babai i Jamarbër Malltezit pranonte se pronarët ishin dëmshpërblyer që në vitet ‘40

26/10/2023 11:27

Privatizimi i terreneve të klubit “Partizani” është një procedurë antiligjore që në gjenezë, ku ish- pronarëve u është kthyer një truall për të cilin janë dëmshpërblyer njëherë në vitin 1940, siç vërtetohet përmes dokumenteve.

Në dosjen e zbërthyer me detaje nga Inside Story është treguar përmes dokumenteve të nxjerra nga arkiva e shtetit, se si janë shpronësuar pronarët për truallin që në vitin 1940.

Pas pushtimit, italianët ndërtuan aeroportin e Tiranës, pikërisht në atë truall, përmes dekreteve të mbretit italian, Victor Emmanuel dhe mëkëmbësit e tij bënë shpronësimin ndaj familjeve shqiptarëve që posedoni truall në Fushën e Shëngjinit, siç quhej në atë kohë.

Në dekretin e firmosur në datë 9 nëntor të vitit 1940 kryeministri i kohës Shefqet Vërlaci ka urdhëruar kryerjen e pagesës ndaj familjeve pronare. Në planin e zgjerimit të aeroportit mes pronarëve që prekeshin nga shpronësimi rezulton Mahmut dhe Xhemal Begeja, paraardhësit e Jamarbër Malltezit. Në fletoren zyrtare të 15 majit të vitit 1942 sërish emrat e familjes Begeja shfaqen krah personave të tjerë që shpronësoheshin.

Në një dokument të firmosur të 12 majit të vitit 1994 ish-drejtori i arkivës, Luan Malltezi, babai i Jamarbër Malltezit informon bashkinë dhe gjykatën mbi statusin e truallit tek fusha e Aviacionit, qartësisht ai sqaron se janë disa dekrete që vërtetojnë shpronësimin dhe dëmshpërblimin e pronarëve.

Pra familjet pronare që dikur posedonin fushën e Shëngjinit, ku u ngrit kompleksi “Partizani” nuk mund të trajtoheshin më me ligjin e kthim kompensimit. Ata janë dëmshpërblyer njëherë që në vitet ’40, pavarësisht ndryshimit të sistemit dhe rendit kushtetues dhe nuk mund të njihen sërish pronarë për sa kohë janë paguar për shpronësim.

Italia fashiste pasi kishte pushtuar Shqipërinë për çdo projekt të ngjashëm vepronte në të njëjtën mënyrë, duke dëmshpërblyer qytetarët. Sipas Inside Story, referuar dokumentit të siguruar nga arkivat, në të njëjtën mënyrë është vepruar edhe për shpronësimin e truallit të aeroportit të Drenovës në Korçë.

Në vitet 1995-1999, familjet Begeja, Llagami, Alimehmeti, Vaqarri dhe Saliaga morën në dorë vendimet e para pozitive nga agjencia e kthimit të pronave, por ligji e ndalonte privatizimin e pronave që zotëroheshin nga Ministria e Mbrojtjes pas vitit 2005 kur Sali Berisha erdhi në pushtet, nisi finalizimi i planit të mirë menduar prej vitesh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA