Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit të Bashkisë Tiranë monitoron garancitë e subjekteve të ndryshëm tregtare për t’ju ndihmuar të njiheni me detyrimet dhe të drejtat tuaja.
Kjo e fundit ka përgatitur edhe një udhëzues për të orientuar qytetarët se si duhet të veprojnë kur blejnë një produkt.
Secila prej markave prodhuese të produkteve, ofron edhe shërbimin e riparimit të produktit brenda një afati të përcaktuar. Ky shërbim shoqerohet me fletën e garancise. Aty specifikohen qartë edhe rastet e veçanta ku defekti është si pasojë e një shkaku të jashtëm ose për arsye keq fabrikimi. Jo të gjitha garancitë janë krijuar të barabarta. Ato mund të ndryshojnë në gjatësi kohore, mbulim dhe kushte. Është jetike për konsumatorët që të lexojnë të gjitha termat dhe kushtet, duke kuptuar se çfarë mbulohet dhe çfarë jo. Në mënyrë tipike, garancitë mbulojnë defektet që lindin nga përdorimi normal, por nuk shtrihen në dëmet e shkaktuara nga aksidente, keqpërdorime ose neglizhencë. Për më tepër, ato zakonisht nuk mbulojnë konsumimin e përgjithshëm ose mirëmbajtjen rutinë.
Këshillime
Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit të Bashkisë Tiranë thekson se tregtari është i detyruar të plotësojë deklaratën e garancisë dhe t’ia dorëzojë atë konsumatorit. Deklarata e garancisë i jepet konsumatorit në gjuhën shqipe. Ajo duhet të jetë e shkruar në një gjuhë të qartë e të kuptueshme dhe të përmbajë të dhënat e nevojshme, si emërtimin e mallit ose të shërbimit, emrin dhe adresën e garantuesit, afatin dhe zonën e veprimit të garancisë.
Fleta e Garancisë përshkruan qartësisht edhe pikat kryesore në të cilat produkti del jashtë regjimit të garancisë sipas kontratës. Fleta e Garancisë duhet të jetë pa korrigjime dhe pa modifikime. Në rast se identifikohet si e tillë do të konsiderohet e pavlefshme.
Rastet që nuk përfshihen nga garancitë
Dëmtime fizike që vijnë si pasojë e keqpërdorimit, pakujdesisë ose transportimit të papërshtatshëm.
Mosrespektimi i udhëzimeve për instalimin/përdorimin e produktit.(Keqpërdorimi i kapaciteteve të produktit në kundërshtim me udhëzimin e prodhuesit në manual)
Përdorimi i produktit në ambiente të papërshtatshme (pluhur, lagështirë, dridhje, nxehtësi, fusha manjetike, etj.).
Materiale të lengshme (ujë, etj.), zjarri, shkaqe natyrore apo vjedhje.
Mbitensioni elektrik ose puna në tension jashtë kufijve ( 230 ± 15%) të përcaktuara në manualin e produktit.
Dëmet që mund t’i shkaktohen klientit apo palëve te treta në aktivitetin e tyre nga mosfunksionimi i produktit.(Kjo vlen edhe kur mosfunksionimi vjen për shkak të defekteve që mbulohen nga garancia)
Nëse produktit i janë kryer shërbime apo instalime nga persona të paautorizuar me shkrim nga serviset zyrtatre të subjektit përkatës.
Top Channel