Joe Biden i dënoi sulmet hakmarrëse të kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun e pushtuar Perëndimor, pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor.
Presidenti amerikan u shpreh se po e dyfishon përkushtimin e tij në përpjekjet për zgjidhjen me dy shtete, si mundësi për t’i dhënë fund konfliktit shumëvjeçar midis Izraelit dhe palestinezëve. Sulmet “nga kolonët ekstremistë” po i hedhin më shumë benzinë zjarrit në Lindjen e Mesme, u shpreh shefi i Shtëpisë së Bardhë.
“Kjo duhet të marrë fund. Ata persona duhetn të konsiderohn përgjegjës për akte të tilla. Izraelitët dhe palestinezët meritojnë të jetojnë krah për krah në siguri, dinjitet dhe paqe”, tha Biden.
Dhuna e kolonëve kundër palestinezëve është intensifikuar që nga sulmet e Hamasit. Grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se kolonët kanë vrarë palestinezë, kanë djegur vetura dhe kanë sulmuar disa komunitete të vogla beduinësh, duke i detyruar ata të evakuohen në vende të tjera. Konsorciumi për Mbrojtjen e Bregut Perëndimor, koalicion i organizatave joqeveritare dhe shteteve donatore, përfshirë edhe Bashkimin Evropian, tha se qindra palestinezë janë zhvendosur me forcë në Bregun Perëndimor për shkak të dhunës së kolonëve që nga 7 tetori.
Izraeli vazhdoi sulmet ndaj objektivave të Hamasit në Gaza ndërsa përgatitet për një pushtim tokësor, ndërkohë që më shumë civilë palestinezë u vranë dhe fuqitë botërore në Kombet e Bashkuara nuk arritën të miratojnë planet për të ofruar ndihma të rëndësishme humanitare.
Sulmet hakmarrëse izraelite kanë vrarë mbi 6,500 njerëz, njoftoi ministria e shëndetësisë në enklavën e drejtuar nga Hamasi. Agjencia e lajmeve Reuters nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur shifrat e viktimave. Izraeli është zotuar se do ta zhdukë Hamasin, i cili sundon Gazën. Kryeministri Benjamin Netanyahu tha në një deklaratë televizive se vendi hebre “po përgatitet për një pushtim tokësor, por nuk do të japë hollësi se kur, si dhe sa”, tha ai.
Top Channel