Mbrojtja e ish-kryeministrit Sali Berisha, avokatët Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, kanë mbërritur në GJKKO.
Gjykata e Posaçme nisi seancën pa pjesëmarrjen e Berishës, pas caktimit të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit” për akuzën “korrupsion pasiv” në çështjen e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’.
Në hollin e gjykatës ishte duke pritur një nga avokatët e shtetit, Artan Simoni, i cili pasi konfirmoi se seanca nisi me avokatët e Berishës, u largua, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha. Në këtë rast gjykata përdori edhe kartën e avokatit falas, nëse mbrojtja nuk do të paraqitej në gjykatë. Ai është në mesin e avokatëve kryesisht që thirren nga gjykata kur palët nuk paraqiten.
Teksa qëndron në fuqi deklarata publike e avokatit Genc Gjokutaj, i cili tha në seancën e djeshme se mbrojtja ka kërkuar dorëheqjen e gjyqtares Irena Gjoka për njëanshmëri në këtë proces, Gjykata e Posaçme i konfirmoi Top Channel se deri në këto momente nuk ka mbërritur në sekretari asnjë kërkesë për dorëheqjen e gjyqtares që vendosi masën e sigurimit personal, ku veç Jamarbër Malltezit dhe Fatmir Bektashit është dhënë masa në mungesë “detyrim paraqitje” dhe ndalim për të ndalë jashtë vendit edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Ndërkohë nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme tha se në ambientet e banimit të Berishës është dërguar një grup i forcave të policisë për të kryer njoftimin, i cili nuk është realizuar ende.
Për dosjen “Partizani”, GJKKO dha dy ditë më parë masën e sigurisë “arrest me burg” për Jamarbër Malltezin, si edhe “detyrim paraqitjeje” për ndërtuesin Fatmir Bektashi. Dhëndri i ish-kryeministrit akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, ndërsa ndërtuesi Fatmir Bektashi për “korrupsion aktiv”.
Sipas dosjes voluminoze të SPAK, Malltezi, nëpërmjet investimit te kompania “Homeplan shpk”, që ka kryer ndërtimet tek ish-kompleksi sportiv “Partizani” dyshohet se ka përfituar 5.4 mln euro që sipas Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion janë para të jashtëligjshme pasi nuk ka qenë investitor duke fshehur kështu origjinën e parave. Ai ka shfrytëzuar ndërtuesin Fatmir Bektashi, për t’i pastruar këto para.
Gjatë deklarimit në seancën me dyer të mbyllura, Malltezi e konsideroi procesin sulm politik, duke theksuar se nuk e dinte që armiku ishte ai. Sipas Malltezit, procedurat për privatizimin e objektit kanë nisur në vitin 2000.
“Nuk e dija që armiku isha unë. Procedurat për privatizimin e objektit kanë nisur në vitin 2000. Është firmosur inventarizimi nga kryeministri aktual që është Edi Rama, i cili ka qenë kryetar bashkie”, u shpreh Malltezi.
Top Channel