Dhoma e sipërme e parlamentit rus ka miratuar njëzëri legjislacionin që revokon ratifikimin që Rusia i bëri Traktatit Gjithëpërfshirës të Ndalimit të Testeve Bërthamore në 2000.
Kremlini u shpreh më herët se kjo do të ishte në përputhje të drejtpërdrejtë me politikën e SHBA-së, e cila e ka nënshkruar, por kurrë nuk e ka ratifikuar traktatin e 1996.
Dhoma e ulët e Parlamentit, Duma ka miratuar tashmë deratifikimin, kështu që tani i takon Vladimir Putinit të nënshkruajë ligjin.
“Ajo që do të bëjmë më pas është se ne nuk kemi pse t’i tregojmë SHBA-së nëse do të mbetemi apo jo palë në traktat”, tha kryetari i Dumës Vyacheslav Volodin javën e kaluar.
“Ne duhet të mendojmë për sigurinë globale, sigurinë e qytetarëve tanë dhe të veprojmë në interes të tyre.”
Në fillim të këtij muaji, Putin u shpreh që nuk ishte gati të thoshte nëse Rusia duhet të rifillojë apo jo testimin bërthamor. Deratifikimi nuk do të thotë tërheqje nga traktati, nënshkrues i të cilit mbetet Rusia.
Traktati Gjithëpërfshirës i Ndalimit të Testeve Bërthamore ndalon të gjitha shpërthimet bërthamore dhe është nënshkruar nga 187 vende.
Traktati thekson gjithashtu nevojën për reduktimin e armëve bërthamore në mbarë botën. Asnjë vend përveç Koresë së Veriut nuk ka kryer një provë që përfshin një shpërthim bërthamor këtë shekull.
Top Channel