Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj ka pranuar se mbrojtja do të marrë pjesë në seancën e GJKKO.
Gjykata e Posaçme mban sot seancën e marrjes në pyetje të Berishës, pas caktimit të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit” për akuzën “korrupsion pasiv” në çështjen e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’.
Në përgjigje të interesimit të gazetares së Top Channel Kristi Gongo, Gjokutaj u shpreh se do të jenë pjesë e seancës që mbahet sot në orën 14:30.
Ashtu sikurse dje, edhe sot ish-kryeministri Berisha pritet të mos jetë prezent, por të përfaqësohet nga dy avokatët mbrojtës Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi.
Teksa qëndron në fuqi deklarata publike e avokatit Genc Gjokutaj, i cili tha në seancën e djeshme se mbrojtja ka kërkuar dorëheqjen e gjyqtares Irena Gjoka për njëanshmëri në këtë proces, Gjykata e Posaçme i konfirmoi Top Channel se deri në këto momente nuk ka mbërritur në sekretari asnjë kërkesë për dorëheqjen e gjyqtares që vendosi masën e sigurimit personal, ku veç Jamarbër Malltezit dhe Fatmir Bektashit është dhënë masa në mungesë “detyrim paraqitje” dhe ndalim për të ndalë jashtë vendit edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Ndërkohë nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme tha se në ambientet e banimit të Berishës është dërguar një grup i forcave të policisë për të kryer njoftimin, i cili nuk është realizuar ende.
Gjykata është duke vlerësuar ende mundësinë për të mbajtur një proces gjyqësor me dyer të mbyllura me një avokat falas, në rast se Berisha apo mbrojtja e tij nuk do të jenë prezentë në seancë.
Top Channel