Punonjësit e policisë ushtarake të Forcave të Armatosura përfitojnë sigurim të jetës nga 5 milionë lekë deri në 10 milionë lekë për rastet e aksidenteve në punë dhe fataliteteve.
Në vendimin e qeverisë të botuar në Fletoren Zyrtare, parashikohet se do të jenë 4 kategori të personelit të Policisë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që përfitojnë sigurim jete.
Përfitues do të jenë punonjësit e Sektorit të Policisë Kriminale, Inspektorati i Qarkullimit Rrugor; seksioni i Rendit Ushtarak; Inspektorati për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin dhe Toga e Ruajtjes dhe Sigurisë së Personaliteteve në Kompaninë Operacionale të Ruajtjes së Personaliteteve dhe Objekteve të Veçanta.
Ky sigurim mbulon ngjarjet në rastet e: humbjes së jetës për shkak të detyrës apo si rezultat i aksidenteve gjatë ushtrimit të saj; zhdukjes për shkak të detyrës; paaftësisë së përhershme, të plotë ose të pjesshme, si rezultat i një aksidenti gjatë ushtrimit të detyrës; paaftësisë së përkohshme, të plotë ose të pjesshme, si rezultat i një aksidenti gjatë ushtrimit të detyrës; shërbimeve mjekësore në spitalet publike ose private jashtë shtetit, kur mbulimet shëndetësore nuk ofrohen në spitalet publike brenda vendit.
Shuma e përcaktuar në kontratën e sigurimit, për çdo person të siguruar, nuk mund të jetë më e ulët se: 10 milionë lekë, për rastet e humbjes së jetës për shkak të detyrës a zhdukjes së personit; 5 milionë lekë, për rastet e dëmtimit të rëndë fizik; 50 mijë lekë, për rastet e dëmtimit të lehtë fizik dhe 5 mijë lekë, për rastet e humbjes së jetës, si rezultat i aksidenteve gjatë ushtrimit të detyrës.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
Top Channel