Seanca në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër për rusin Igor Kokunov që kërkohet nga Interpoli Ndërkombëtar është shtyrë për në datën 7 nëntor.
Avokati mbrojtës i Kokunov, Isuf Shehu, deklaroi se shkresa për ekstradim është firmosur nga zëvendës prokurori i përgjithshëm i Rusisë dhe jo nga prokurori apo ministri i Drejtësisë së Rusisë dhe kjo bie ndesh me Konventën Ndërkombëtare.
Avokati tha se Kokunov ka vetëm një vepër penale, për të cilën dyshohet si kreu i një grupi kriminal, dispozitë që sipas avokatit nuk njihet nga ligji shqiptar. Avokati deklaroi është kërkuar azil në Shqipëri për Kokunov, për shkak se Rusia është një shtet i pasigurtë dhe që shkel të drejtat e njeriut.
Deri më 7 nëntor pritet të sqarohet nëse shkresa për ekstradim është firmosur apo jo nga Prokurori i Pergjithshëm i Rusisë apo nga ministri rus i Drejtësisë.
Igor Kokunov, i njohur gjithashtu me nofkën “Vasya Bandit”, u arratis më 22 shkurt të vitit 2022 nga “arresti shtëpiak” në pritje të gjykimit. Ai akuzohet për vepra të rënda që parashikojnë dënim mbi 15 vite burgim.
Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore në fillim të muajit shtator, Igor Kokunov, ka pranuar se ka probleme me drejtësinë në Moskë, por proceset penale janë stimuluar për shkak të marrëdhënies jo të mirë që ka ai me regjimin diktatorial të Presidentit, Vladimir Putin.
Kokunov akuzohet për krime të tilla si rrëmbimi, zhvatja, grabitja, mashtrimi dhe organizimi i biznesit të paligjshëm. Gjithashtu akuzohet për koordinimin e kriminelëve në rajonet Sergiev Posad, Chekhov dhe Podolsk të rajonit të Moskës prej 27 vitesh.
Top Channel