Një muaj më parë, orët e para të datës 24 ishin fatale për rreshterin, tashmë të kthyer në hero, Afrim Bunjakun, i cili në Banjskë të Zveçanit ndërsa po inspektonte rrugën e bllokuar u vra nga një minë e telekomanduar e vendosur nga një grup terrorist.
Luftimet që u bënë gjatë asaj ditë të diele mes Policisë së Kosovës dhe grupit të udhëhequr nga Milan Radojçiç që fshihej në Manastirin e Banjskës treguan se plani ishte më i gjerë, tentim aneksimi.
Hetimet e autoriteteve të Kosovës çuan në konfiskimin e një arsenali të madh armësh, dokumentesh që lidhin shtetin e Serbisë me komandon serbe që kreu sulmin terrorist.
30 ditë pas, organizatori dhe udhëheqësi i dhjetëra paramilitarëve vazhdon të jetë në liri pasi Gjykata e Lartë e Beogradit i caktoi masën e sigurisë me paraqitje në polici dy herë në muaj.
Tre të arrestuarit nga policia e Kosovës, nga kjo e martë edhe për dy muaj të tjerë do të mbahen edhe dy muaj në paraburgim për sulm terrorist.
Krerët e institucioneve po kërkojnë ekstradimin e pjesëtarëve terrorist në Kosovë, por në mungesë të një marrëveshjeje me Serbinë një gjë e tillë është e pamundur, e një hetim ndërkombëtar mbi ngjarjen ende mungon.
Ky akt terrori nuk i bën hije dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë ishte mesazhi i ditëve të fundit nga emisarët euro-amerikanë, që konsiderohet se nuk ndryshoi asgjë në rrafshin politik.
“Në sipërfaqe nuk duket që ka ndryshuar diçka, vetëm ka ndërruar narrativa që marrëveshja duhet të zbatohet shumë shpejt”, tha Dritëro Arifi, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë që në këtë pikë është e udhës zbatimi i detyrimeve.
“Kosova vetëm një mundësi ka, që të dakordohet me SHBA-në dhe vendet e BE-së, jo me BE-në si tërësi, që ta zbatojë marrëveshjen në mënyrë unilaterale”, shtoi Arifi.
Ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak gjatë fundjavës u shpreh se pa dialog mund të përsëritet ngjarja e Banjskës.
Top Channel