“Gjuetia” për Suel Çelën/ Kontrolle në Elbasan me urdhër të SPAK, por pa sukses

24/10/2023 12:00

Për llogari të hetimeve për operacionin “Plumbi i artë” por edhe për ngjarje të pa zbardhura jashtë vendit me protagonist shqiptarët, në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, policia zbriti në Elbasan për kontroll.

Me urdhër të SPAK, Forcat Operacionale dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë të shoqëruar me agjentë të BKH, erdhën në Elbasan me qëllim kapjen e personave në kërkim. Policia u fokusua te tregu agro-ushqimor në Elbasan për kapjen e Suel Çelës.

Ashtu si dhe operacione të ngjashme, dhe ky i kësaj të marte dështoi, dhe Suel Çela, i cili është në kërkim që prej majit të vitit të kaluar, nuk mundi dot të arrestohet. Policia shoqëroi vetëm vëllain dhe babain e tij, të cilët pasi u pyetën u lanë të lirë.

I njohur për të shkuarën e tij kriminale në trafikun e drogës dhe përplasjes me policinë, Çela kërkohet të vihet para drejtësisë pasi bashkëpunëtori i tij i dikurshëm Nuredin Dumani pasi u pendua u tregoi hetuesve se Suel Çela i njohur dhe me emrin Marjus Lulaj e kishte paguar për të vrarë Elton Kilën, të njohur me emrin Oti si edhe administratorin e një shkolle private në Tiranë Lulëzim Masha, krime për të cilat kishte paguar mijëra euro. Atentati ndaj Kila nuk u realizua ndërsa ndaj Mashës dështoi pasi plumbat kapën vetëm makinën.

Për arrestimin e Çelës janë të interesuar edhe prokurorët belgë, të cilët janë duke punuar për zbardhjen e një vrasje në Antwerp të Belgjikës vitin e kaluar, ku ka dyshime se Çela mund të jetë i implikuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA