Komisionet Parlamentare pritet të nisin diskutimet e një mori ndryshimesh në Kodin Penal.
Ky është draft propozimi i ndryshimeve disponuar nga Top Channel, përmes të cilave Ministria e Brendshme në kuadër të “Paketës për Sigurisë në Shkolla”, iniciuar nga ministri Taulant Balla, propozon ashpërsimin e dënimeve për 11 vepra penale, të kryera në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij.
Propozohet se kryerja e një vepre penale në dëm të një të mituri në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, të jetë një rrethanë rënduese.
Kërkohet burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet për të përfshirët në “Nxitjen për përdorimin e drogës” te nxënësit e shkollave.
Kërkohet një ndëshkim me burg disa herë më shumë sa është në kodin penal të tanishëm, për “Prodhimin dhe shitjen e narkotikëve” jashtë perimetrit të shkollave.
Kjo vepër, thotë Ministria e Brendshme duhet të dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet”.
Ndërsa “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”.
“Hedhja ose braktisja e shiringave” brenda dhe jashtë shkollave do të konsiderohet vepër penale e ndëshkuar me burgim nga një vit deri në tre vjet”.
Dhuna seksuale ndaj nxënësve kërkohet të dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Bindja e një të mituri në ambientet e shkollave për të marrë pjesë në shfaqje pornografike, dënim nga tre deri në pesë vjet”.
Pësojnë rritje të masës së dënimit me burg edhe “Trafikimi i të miturve”.
Rritet masa e ndëshkimit me burg për “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” brenda dhe jashtë perimetrit të shkollave përfshi edhe mbajtja e armëve të ftohta.
Ndërsa“Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” në perimetrin e sigurisë së një institucioni arsimor, dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet”.
Top Channel