Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 16 pasuri të paluajtshme në pronësi të Jamarbër Malltezit.
Dhëndrit të ish kryeministrit Berisha i bllokohen edhe gjashtë llogari bankare si dhe aksionet në disa kompani.
Mëngjesin e kësaj të hëne oficerët e Policisë Gjyqësore kanë nisur punën në terren për kryerjen e sekuestros preventive për 25 pasuri të Malltezit.
Fillimisht ata kanë shkuar në banka të nivelit të dytë për të sekuestruar 6 llogari në emër të dhëndrit të ish-kryeministrit dhe më pas do të shkojnë në tre kompani, konkretisht në Homeplan shpk, ku Jamarbër Malltezi ka 45% të aksioneve, Magnet IMO shpk ku ka 100% të aksioneve dhe Magnet Gym and Fit, ku ka 60% të aksioneve.
Nga 16 apartamente, 7 prej tyre ndodhen në rrugën “Mustafa Matohoti”, e cila njihet edhe si rrugica e ish-kryeministrit, pasi këtu jeton Berisha në banesën në emër të vajzës së tij, ku sipas vendimit të GJKKO-së edhe ky apartament do të kalojë në sekuestro.
Gjithashtu nën sekuestero do të vihen edhe pronat tek ish-kompleksi “Partizani” dhe një vilë në Gjirin e Lalzit, ku Berisha kalon zakonisht kohën gjatë verës, bazuar edhe në postimet e tij në rrjete sociale.
Oficerët do të paraqiten fizikisht në objekte për të bërë lajmërimin dhe ndërrimin e bravave. Deri në një vendim tjetër këto do të jenë në sekuestro dhe Malltezi nuk mund të kryejë asnjë procedurë tjetër qoftë shitje, blerje apo qira.
Top Channel