“Partizani”/ Avokatët e Malltezit dhe Bektashit po njihen me provat dhe fashikujt, do të dalin me një qëndrim në seancë

23/10/2023 15:57

Sot në GJKKO po mbahet seanca ndaj ish-dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha Jamarbër Malltezi dhe ndaj ndërtuesit Fatmir Bektashi, për vlerësimin e masës së sigurisë.

Gazetarja Anila Hoxha mëson se janë 51 fashikuj, që po studiohen në një dhomë të posaçme nga ana e avokateve.

Ndërkohë, gjyqtarja Irena Gjoka u dha kohë të dyja avokateve që të njihen me këto akte dhe prova brenda dy orësh. Kjo do të thotë që trupa gjyqësore do të zbresë menjëherë në sallën e GJKKO-së, pasi mbrojtja të ketë qëndrimet e saj, edhe mbi vendimmarrjet e ditës së shtunë dhe nga kjo gjykatë, me kërkesë të SPAK.

Dy të dyshuarit akuzohen për pastrim parash, e kryer në bashkëpunim, dhe korrupsion.

Ndaj Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhjen me privatizimin e ish-Klubit Sportiv Partizani.

Sipas dosjes voluminoze të SPAK, Malltezi, nëpërmjet investimit te kompania “Homeplan shpk”, që ka kryer ndërtimet tek ish-kompleksi sportiv “Partizani” ka përfituar 5.4 mln euro që sipas Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion janë para të jashtëligjshme pasi nuk ka qenë investitor duke fshehur kështu origjinën e parave. Ai ka shfrytëzuar ndërtuesin Fatmir Bektashi, për t’i pastruar këto para.

Nga sekuestrimet e pasqyrave financiare të shoqërisë ka rezultuar se Jamarbër Malltezi nuk ka kryer asnjë investim, prandaj në mënyrë të ligjshme nuk mund të ketë përfituar asnjë të ardhur nga kjo shoqëri, pavarësisht se në dorë të SPAK janë fatura për pagesa kesh dhe dividend që shkojnë në emër të tij.

SPAK argumenton se shoqëria “Homeplan shpk” është krijuar vetëm për të qarkulluar para. Vlera e privatizimit është paguar nga kompania e Bektashit, ndërkohë që roli i Jamarbër Malltezit, ka qenë ndikimi tek institucionet për të privatizuar pronën e më pas për të marrë leje ndërtimi. Për këtë ai dyshohet se familjet përfituese e kanë shpërblyer me 3 -5% të pasurive të tyre të paluajtshme.

Ndërkohë, për privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” po hetohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Gjykata e Posaçme e ka ndaluar atë të dalë jashtë vendit. Por, në kushtet kur vendimi nuk është ekzekutuar, nuk është caktuar ende një datë për seancë gjyqësore ndaj tij, raporton gazetarja Anila Hoxha.

Sot, GJKKO njoftoi masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 16 pasuri të paluajtshme në pronësi të Jamarbër Malltezit. Atij i bllokohen edhe gjashtë llogari bankare si dhe aksionet në disa kompani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA