Dita e 16 e sulmeve, situatë e rëndë në Gaza! Ushtria izraelite qëndron në gatishmëri

23/10/2023 18:13

Dita e 16-të e sulmeve mes Izraelit dhe Hamasit nuk solli asnjë ndryshim, përpos bombardimeve të vazhdueshme kryesisht në Gaza, që po rëndojnë bilancin e viktimave. 

Të paktën 436 palestinezë u vranë në sulmet gjatë natës në Gaza, ndërsa numri në total që nga nisja e bombardimeve është rritur në më shumë se 5000 persona. Teksa sulmet vijojnë ende, në mesin e viktimave janë edhe mbi 2000 fëmijë që nuk kanë arritur t’i mbijetojnë sulmeve.

Nga ana tjetër qetësi  nuk ka pasur as për banorët në qytetin verior izraelit të Kiryat Shmona, pranë kufirit me Libanin, aty ku alarmet e raketave kanë mbizotëruar.

Që pas nisjes së sulmeve mëngjesin e 7 tetorit në territoret e Izraelit, e më pas në Rripin e Gazës aty ku ndodhen militantët e Hamasit, në luftime është përfshirë edhe grupi libanez i Hezbollah.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, reagoi në lidhje me situatën, duke u shprehur se Hezbollah do të bëjë gabimin më të madh nëse fillon një luftë me Izraelin, duke shtuar se pasojat për Libanin do të ishin shkatërruese.

“Nëse Hezbollahu vendos të hyjë në luftë, do të humbasë Luftën e Dytë të Libanit. Do të bëjë gabimin e jetës së tij. Ne do ta godasim atë me një forcë që as nuk mund ta imagjinojë”, tha Benjamin Netanyahu-Kryeministër izraelit.

Në përgjigje të kësaj deklarate, autoritetet libaneze kanë deklaruar se Libani nuk dëshiron që të hyjë në luftë me Izraelin.

Ndërkohë ushtria e Izraelit vijon të qëndrojë në gatishmëri pranë kufirit me Rripin e Gazës, teksa kanë vijuar stërvitjet dhe vendosjen e mjeteve ushtarake. Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë raportuar se trupat e tyre po qëndrojnë në gatishmëri dhe po punojnë fort për të qëndruar në gjendjen më të mirë në rast urdhri për të hyrë në territoret e Gazës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA