Një pjesë e madhe e fshatrave të Finiqit, një bashki me popullsi kryesisht minoritare ende nuk kanë rrjete të brendshme të furnizimit me ujë të pijshëm.

Banorët detyrohen të transportojnë ujin e pijshëm me kafshë dore nga distanca të largëta. Në Sopik një fshat me popullsi shqiptare banorët tregojnë se uji ka munguar historikisht edhe gjatë komunizmit. Fshati me 120 shtëpi është detyruar të hapë puse që kushtojnë nga 400 mijë në 1 milionë lekë të rinj për të mbijetuar.

Kostot e këtij investimi shumëfishohen prej përdorimit të pompave elektrike për tërheqjen e ujit. Rreth 1/4 e fshatit e ka kryer këtë investim privatisht ndërsa të tjerët e blejnë ujin nga ata që kanë puse por të gjithë pa përjashtim e konsumojnë edhe për të pirë ujin e pusit pavarësisht mungesës së kontrolleve për kushtet e higjienës.

“Depon e kemi aty dhe ujë sna ka ardhur. Uji është problem i madh. Kanë hapur disa fshatarë ca puse dhe japim e marrim njëri me tjetrin. Nga pusi pimë e nga pusi lahemi. E shpova një pus dhe më kushtoi 10 mijë euro”.

“Kam 10 vjet që e kemi pusin dhe bëjmë të gjitha shërbimet me të. Edhe e shesim. Kush nuk ka merr një cisternë 250 lekë. Gjynah çdo bëjmë me të. Do bëjmë dhe dy domate dhe dy piperka se na duhen. Nuk shkojmë dot të blejmë në Livadhja se kushtojnë dhe jemi pleq. Vetëm makina që të dalësh në qendër do 10 mijë lekë”.

“Na kushton shumë uji. Marr 4 cisterna në javë. Nuk arrin as për të larë pastaj duam të bëjmë pak kopsht se jemi në fshat. Për të pirë kemi një çezmë larg. Atje vemi mbushim me gomar 1,5 ose 2 orë. Por më të shumtët tani pinë nga puset. Jemi dhe pleq e s’vemë dot edhe në çezmë të marrim.”

“U detyruam të shpojmë me sondë. 200 lekë na kushton energjia për të tërhequr ujin për një cisternë 1 tonësh”, janë shprehur disa banorë.

Në Sopik, fshatin piktoresk, që e rreh dielli për më shumë se 300 ditë në vit, rrethuar nga kodra pjellore të vendosura mbi luginën e Vurgut jeta do të ishte shumë më e mirë nëse problemi historik i ujit do të zgjidhej. Ujësjellësi që filloi të ndërtohej pak vite më parë për të furnizuar me ujë disa fshatra ka ndërprerë punimet. Depot e ujit të ndërtuara mbi fshat ende nuk kanë asnjë funksion pasi mungon investimi në rrjetin e brendshëm të shpërndarjes.

“Depot janë këtu, marrin fshatrat e tjerë dhe ne nuk marrim. Fshati ynë i paguan të gjitha detyrimet 100% dhe na kanë mënjanuar. Detyrohemi akoma të mbartim ujë me gomar”, u shpreh kryeplaku i fshatit Miço Muçi

Pak investime të kryera në fshat janë tërësisht kontribute private të banorëve. 80% e fshatit janë banorë në moshë pensioni ndërsa ekonomia e zonës ende varet në masën dërrmuese prej emigracionit dhe shumë pak prej bujqësisë e blegtorisë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA