Një i ri nga Kosova është arrestuar pasi transportonte armë zjarri drejt Shqipërisë, me qëllim për t’i shitur.
20 vjeçari L. B., u kap dhe arrestua në flagrancë, në afërsi të pallatit “Asllan Rusi”.
Gjatë kontrollit të automjetit tip “BMË”, që 20-vjeçari drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura dy armë zjarri pistoleta, me krëhër e municion luftarak, të cilat i kishte sjellë në Shqipëri për t’i shitur tek persona të tjerë.
“Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që dyshohej se kishte transportuar armë zjarri, nga Kosova drejt Shqipërisë, me qëllim shitjen e tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Transportuesi””, thuhet në njoftimin e policisë.
Armët e zjarrit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe aparatin celular të të riut.
Sipas policisë po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Top Channel