Mungojnë mijëra studentë/ Universitetet, 94 degë studimi po mbyllen apo rrezikojnë mbylljen

21/10/2023 19:57

Emigracioni i të rinjve po tkurr vit pas viti edhe më shumë studentët në universitete.

Të dhënat nga portali universitar u-albania, pas përfundimit të dy raundeve të regjistrimeve, tregojnë se mijëra vende kanë mbetur bosh, ku edhe numri i aplikantëve ishte 6.6% më pak krahasuar me vjet.

 “Ky është studimi që kam përgatitur i titulluar metamorfoza e universiteteve publike, që nxjerr në pah se nga 308 programe studimi, 30% gati 1/3 rrezikon të mbyllet”, tha Gevio Tabaku.

Gevio Tabaku ka përpiluar të dhënat e 13 universiteteve publike në nivel kombëtar, ku shifrat pasqyrojnë për vitin akademik një situatë të zymtë, sidomos në rrethe.

 “Në Universitetin e Elbasanit rrezikojnë të mbyllen 46% e degëve, ku në 11 degë prej tyre janë me zero regjistrime si dega e matematikës, fizikës, gjuhë shqipe e rome”, tha ai.

Maturantët të cilët janë regjistruar për herë të parë për të ndjekur arsimin e lartë në qytetet e vogla të Shqipërisë po orientohen drejt degëve të mjekësisë, duke mos mbushur auditoret në degë shoqërore apo të shkencave të natyrës.

“Sipas analizës rezulton se në universitetet e rretheve, pjesa më e madhe e studentëve të vitit të parë të regjistruar janë në infermieri, mami dhe programe dy vjecare. Situata më e keqe paraqitet në Universitetin e Gjirokastrës, ku 575 e të regjistruarve janë në këto 3 fusha. Kjo dëshmon faktin që ata duan të përdorin diplomën si pasaportë për tu larguar nga vendi, ku vetëm 3-4 vitet e fundit kanë ikur mbi 16 mijë infermierë”, shtoi Gevio.

Por nga rreziku nuk shpëtojnë as institucionet e arsimit të lartë në kryeqytetin e Shqipërisë, ku pavarësisht se Ministria e Arsimit ka shpallur programe me prioritet kombëtar, dhjetëra degë rrezikojnë të mos hapen.

“Në Universitetin e Tiranës janë 38 programe studimi, e rrezikojnë të mbyllen 10, si kimia, fizika, filozofia dhe pastaj janë gjuhët e huaja”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA